Ura e Ibrit, Foto: Shkodrane Dakaj, KALLXO.com

Zbatimi i planit për targat serbe rrit tensionet Kosovë-Serbi

BBC i ka kushtuar një artikull të gjatë atyre që mediumi britanik i quan tensione mes Kosovës dhe Serbisë pas fillimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë kosovare në lidhje me targat e automjeteve të përdorura nga serbët e Kosovës.

Që nga e marta, më 1 nëntor, autoritetet e Kosovës kanë filluar të zbatojnë fazën e parë – atë të qortimit të pronarëve të automjeteve me targa serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës. Këto targa autoritetet e Kosovës po i cilësojnë ilegale.

Faza e  dytë, sipas planit të Qeverisë, parasheh gjoba deri në 150 euro për personat që përdorin vetura me targa ilegale pas datës 21 nëntor.

Faza e tretë parasheh përdorimin e targave provuese për automjetet me targa ilegale.

Zbatimi i planit pritet të përfundojë më 21 prill 2023 dhe nga kjo datë nuk do të lejohen targa të tjera në Kosovë përpos atyre zyrtare –RKS.

Autoritetet e Kosovës ua kanë mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë automjetet me RKS dhe për këtë u kanë ofruar shumë lehtësira, duke mos i detyruar të paguajnë asgjë për 1 vit.

Por, fillimi i zbatimit të këtij plani nga institucionet e Kosovës duket se ka acaruar autoritetet e Serbisë.

BBC citon ministrin serb të Mbrojtjes, i cili ka thënë se ushtria është në gjendje gatishmërie “për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë edhe serbët në Kosovë“.

Transmetuesi publik britanik citon edhe shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, i cili për ngritjen e tensioneve thotë se fajtori i vetëm është Prishtina.

“Jo vetëm që ky është një akt i shkeljes së marrëveshjeve të lidhura në kuadër të dialogut, por tani e kemi Prishtinën që ka shpallur përdorimin e dhunës për të zbatuar këtë vendim të paarsyeshëm” – citohet të ketë thënë Petar Petkoviq.

Sipas BBC-së, pretendimi për “dhunë” i referohet raportimeve se Policia e Kosovës do të konfiskojë veturat me targa serbe. Në fakt, vëren mediumi britanik, plani aktual është pak më pak dramatik.

Në këtë artikull të gjatë BBC thekson faktin se për shkak të insistimit për ta zbatuar planin për targat serbe dhe për të mos e shtyrë atë, autoritetet e Kosovës i kanë acaruar marrëdhëniet me partnerët kryesorë ndërkombëtarë – SHBA-në dhe BE-në.