Zbatimi i masave COVID-19 në shkollat e Kosovës

Nxënësit e Kosovës për katër muaj rresht kanë mbajtur mësim fizikisht në shkolla, mes sfidës dhe rrezikut të infektimit nga virusi COVID-19.

Më 18 dhjetor, përfundoi gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/21, vit ky që nisi me vonesë dhe përfundoi më herët se që ishte planifikuar në planprogramin shkollor të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për shkak të shtimit të rasteve me COVID-19.

Që nga fillimi i vitit shkollor deri më 18 dhjetor, sipas të dhënave të MASh, janë infektuar nga coronavirusi 2,301 mësimdhënës dhe 1,649 nxënës.

Për të parë se cilat masat janë zbatuar më së shumti e cilat jo në shkollat e Kosovës, Organizata “Edu Task” në bashkëpunim me BIRN Kosova për 4 muaj ka monitoruar mbi 300 shkolla.

Kurse, të dhënat e monitorimit të 100 shkollave gjatë periudhës 16 deri më 30 nëntor tregojnë rezultatet e zbatimit të masave anti COVID-19 në shkollat e Kosovës.

Zbatimi i masave në nivel vendi

Raporti i monitorimit të zbatimit të masave anti COVID-19 nga 98 shkolla në Kosovë gjatë periudhës 16 deri më 30 nëntor, shfaq se nga katër masat e vendosura nga MASh, masa e zbatuar më së shumti në nivel vendi mbetet masa ‘Taskforca në nivel institucioni parashkollor ose shkolle’ e zbatuar 91%, e përcjellur nga ‘Masat parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me COVID-19 dhe ndërprerja e mësimit’ e zbatuar 87.8.

Si dhe masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës përfillimin e vitit shkollor’ zbatuar 83.5%, dhe së fundi masa e zbatuar më së paku nga shkollat në Kosovë mbetet ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASh’ e zbatuar vetëm 67.8%.

Nënmasat që janë zbatuar më pak se 50% nga shkollat e vendit janë zëvendësimi i stafit të shkollës për rastet me COVID-19, sigurimi i psikologëve në shkolla dhe pajisjeve teknologjike.

“Është mbajtur trajnimi për nxënësit për përdorimin e platformës zbatuar 27% , DKA dhe shkolla kanë siguruar shërbime konsulence psikologjike zbatuar 44.4%, Janë siguruar pajisjet teknologjike për nxënës zbatuar 44.4% DKA dhe shkolla kanë siguruar transport të sigurt për grupe të caktuara të nxënësve zbatuar 43.4% Është mbajtur trajnimi për nxënësit për përdorimin e platformës zbatuar 23.7%”, është bërë e ditur në raportin e “Edu Task”.

Çka zbatuan më së miri komunat e çka jo?

Edhe pse Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte përgatitur udhëzime e rekomandime për mbajtjen e mësimit në kohë pandemie, komunat ishin ato që do të përkujdeseshin se sa po zbatohen ato.

Përfshirë hapja e shkollave, mirëmbajtja dhe furnizimi i tyre  me mjete mbrotjëse, zëvendësimi i stafit të shkollës, sigurimi i psikologëve dhe të tjera.

Në bazë të raportit të “Edu Task” në gjitha komunat gjatë periudhës 23 tetor deri më datën 15 nëntor, tregohet se ndër komunat me performancën më të mirë në zbatimin e masave anti COVID-19 nga shkollat radhitet Komuna e Gjakovës ku masat janë zbatuar 92.1%, e përcjellur nga komuna e Rahovecit me 90.3%, ajo e Gllogovcit me 88.6%, Pejës me 88%, Lipjanit me 87.2%, Prizrenit me 86.4%, Gjilanit me 86.1%, dhe Skënderajit dhe Vushtrrisë me nga 84.9% të masave të zbatuara.

 

Në anën tjetër, ndër komunat me performancën më të dobët renditet ajo e Shtimes ku vetëm 62.5% e masave janë zbatuar, e përcjellur nga komuna e Kaçanikut me 63.9% , dhe ajo e Klinës me 68.5% të masave të zbatuara.

Raporti po ashtu tregon se  se komuna e Deçanit, Gjilanit, Istogut, Klinës, Podujevës, Prizrenit, Rahovecit dhe Vitisë nga katër masat më së miri kanë performuar në zbatimin e masave parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me COVID-19 dhe ndërprerja e mësimit.

Më së paku kjo masë është zbatuar nga shkollat në komunën Hani i Elezit, Kamenicë, dhe Kaçanik.

Në zbatimin e masës ‘Taskforca në nivel parashkollor ose shkolle’ në krahasim me katër masat tjera është zbatuar më shumë nga shkollat në komunën e Ferizajit, Gllogocit, Han i Elezit, Kaçanikut, Lipjanit, Malishevës, Mitrovicës, Obiliqit, Prishtinës, Shtimes, dhe Vushtrrisë.

“Ndërsa, komuna e Klinës dhe ajo e Vitisë kanë zbatuar këtë masë më se paku në krahasim me komunat tjera. Komunat si: Fushë Kosova, Gjilani, Podujeva, dhe Skënderaj kanë zbatuar të dy këto masa me përqindje pothuajse të barabartë”, është bërë e ditur në raport.

Komuna e Kamenicës nga katër masat e vendosura më së shumti ka përmbushur masën ‘Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës për fillimin e vitit shkollor’.

Ndërsa, komuna e Lipjanit dhe ajo e Suharekës kanë përmbushur ‘Masat parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me COVID-19 dhe ndërprerja e mësimit’ dhe ‘Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës për fillimin e vitit shkollor’ pothuajse me përqindje të barabartë në krahasim me masat tjera.

Ngjashëm, komuna e Rahovecit ka zbatuar masat ‘Taskforca në nivel institucioni parashkollor apo shkolle’ dhe ‘Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës për fillimin e vitit shkollor’ me përqindje pothuajse të barabartë.

Ajo çfarë bie në sy në vizualizimin e dhënë është zbatimi i pakënaqshëm i masës ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASh’ në nivel vendi.

Më së miri në zbatimin e kësaj mase kanë performuar komuna e Ferizajit, Gjakovës, Kamenicës, Lipjanit, Prishtinës, Prizrenit, dhe Rahovecit. Ndërsa, më së dobëti kanë performuar shkollat nga komuna e Klinës, Istogut, Obiliqit dhe Shtimes.

Skenaret e përdorura

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kishte përgatitur tre skenarë për mësim, që komunat pastaj kanë vendosur se në cilin skenar dëshirojnë të funksionojnë, në bazë të kapaciteteve të tyre.

Tre skenarët kanë qenë: Skenari A që është për mësim fizik në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim online nga platforma të ndryshme.

Në bazë të raportit të “Edu Task” në këtë fazë të projektit vërehet shumica e shkollave të monitoruara në periudhën e monitorimit kanë qenë duke vepruar me skenarin A.

Skenari B vërehet në komunën e Prishtinës, Pejës, dhe Mitrovicës. Ndërsa, në skenarin C janë vërejtur shkolla në komunën e Prishtinës dhe asaj të Vitisë.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë më 24 dhjetor dhe të nisë më 8 janar.

Hoti në ditën kur ka marrë vendimin për përfundim të parakohshëm të gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/2021, ka thënë se këto ditë do të kompensohen në pushimin pranveror, që i bie të jetë në muajin prill apo në qershor.

Mësimi filloi sipas tre skenarëve të përgatitur nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Skenari A që është për mësim fizik në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim online nga platforma të ndryshme.

Kurse, sipas informatave të Ministrisë edhe gjysmëvjetori i dytë pritet të fillojë në formë të njëjte të organzimit, pra me skenarët e lartëpërmendura.

Para se të fillonte mësimi, Ministria ishte konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilët edhe kishin përpiluar një udhëzim se si duhet të mbahet mësimi në kohë pandemie si dhe rregullat se si shkollat duhet të funksionojnë.

Në këtë udhëzim thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë, shkolla duhet të dezinfektohet pas çdo ndërrimi dhe i gjithë personeli duhet të mbajë maskat gjatë gjithë kohës etj.