Zbardhet marrëveshja e autostradës, Serbia përfaqësohet si Republikë e Kosova si ministri

Muaj më parë, gazetarja Jeta Xharra kishte arritur që me një presion të madh të zbulonte përmbajtjen e dy marrëveshjeve që Qeveria e Kosovës i  kishte nënshkruar në Berlin me Qeverinë e Serbisë.

Dokumentet shfaqnin përmbajtjen e marrëveshjes për autostradat dhe hekurudhën, ku pala kosovare ishte nënshkruar vetëm nga përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrurës pa mbishkrimin Republika e Kosovës.

Tre muaj më vonë, KALLXO.com ka  zbuluar përmbajtjen e marrëveshjes nga ana e Serbisë ku  përmendet qartazi emërtimi Republika e Serbisë.

Përmbajtja e marrëveshjeve, të nënshkruara nga Kosova dhe Serbia, është e njëjtë në përmbajtje por dallon në pjesën e personave të autorizuar për të nënshkruar këto dy marrëveshje.

Në dokumentin e nënshkruar nga ana e Serbisë, në fund të marrëveshjes thuhet se nënshkrues i kësaj marrëveshje në emër të Republikës së Serbisë është Marko Gjuriq.

Ky i fundit është drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Ndërsa në marrëveshjen e cila është nënshkruar nga Kosova nuk përmendet Republika e Kosovës por vetëm se nënshkrues është drejtori i Departamentit të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, në këtë rast Ramë Qupeva.

Pra, në këto dy marrëveshje është injoruar fakti se Kosova është tashmë shtet i pavarur.

Në marrëveshjen, që është quajtur letër e interesit për përfundimin e autostradës Prishtinë-Beograd thuhet se autostrada do ta lidhë Prishtinën dhe Beogradin përmes pikës kufitare Merdarë, e cila pastaj përmes qytetit të Nishit, do të arrijë deri në kryeqytetin serb.

Kjo letër është nënshkruar në prezencë të ambasadorit amerikan në Berlin, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe presidentëve të Kosovës e Serbisë.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të interesit:

Letër e interesit për përfundimin e autostradës Prishtinë-Beograd

Duke rikonfirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për të kontribuar plotësisht në konsolidimin ekonomik, përshpejtim të qarkullimit të mallrave, njerëzve dhe shërbimit dhe lidhjes më të afërt të Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në rajon, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në Kosovë dëshiron të njoftojë dhe të konfirmojë deklaratën në vazhdim në lidhje me ndërtimin dhe kompletimin e autostradës Prishtinë-Beograd.

Autostrada do të lidhë Prishtinën dhe Beogradin përmes pikës së kalimit kufitar në Merdare dhe pastaj përmes Nishit nëpërmes ndërtimit të rrugës së re.

Ndërtimi i infrastrukturës së autostradës  që e lidh Prishtinën me Beogradin ka rëndësi strategjike për ekonominë e Kosovës, duke pasur parasysh që një përqindje e madhe e pasagjerëve dhe mallrave  në tregjet rajonale transportohen në mënyrë rrugore dhe pasi është njëra nga dy lidhjet kryesore në rrjetin e transportit rajonal dhe kryeqytetet fqinje.

Autostrada do të shërbejë si një komponent kyq në rrjetin kryesor të Europës në transportin regjional, duke i lidhur korridoret rrugore Pan-Europiane me portet në bregdetin e Adriatikut.

Me qëllimin e vendosjes  së transportit të pasagjerëve dhe mallrave përmes autostradës së propozuar, infrastruktura përkatëse duhet të ndërtohet dhe duhet të përcillet me zbatim të marrëveshjeve teknike, ligjore dhe profesionale për vendosjen e transportit rrugor.

Specifikacionet teknike për autostradën duhet gjithashtu të jenë në linjë me Standardet Rrugore Trans-Europiane (TEM)

Duke implementuar këtë iniciativë, provizionet që përbëjnë strukturën ekzistuese ndërkombëtare, do të zbatohen, gjithashtu edhe ato të përcaktuara në marrëveshjet dhe rregullimet të vendosura brenda Bashkimit Europian.