Zbardhen lidhjet kriminale në industrinë e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut ka promovuar në mënyrë aktive zhvillimin e një industrie të kanabisit mjekësor, por një investigim i BIRN zbulon lidhjet kriminale pas të paktën disave prej atyre që u janë dhënë licencat shumë të lakmuara.
Në verën e vitit 2022, në harkun kohor prej 48 orësh, policia në Maqedoninë e Veriut bastisi dy plantacione kanabisi në jugperëndim të vendit, pranë liqenit të Ohrit.
Plantacionet kishin licenca për të kultivuar kanabis për përdorim mjekësor, një sektor që shteti e ka promovuar fuqishëm gjatë pesë apo gjashtë viteve të fundit.
Shkeljet e rregulloreve që policia zbuloi gjatë dy bastisjeve, megjithatë, sugjeruan që një pjesë e madhe e produktit po kalonte në tregun ilegal.
Oficerët konfiskuan kanabis me një vlerë tregu të zi deri në pesë milionë euro, thanë ekspertët në Ministrinë e Shëndetësisë, dhe gjurmët çuan në dy shtetas shqiptarë që ndajnë lidhje biznesi me një shqiptar tjetër të dënuar për krime të lidhura me drogën në Itali.
Ky nuk ishte rasti i vetëm i kapitalit të dyshuar në industrinë e kanabisit mjekësor të Maqedonisë së Veriut, ka gjetur një investigim i BIRN, duke sugjeruar se një vendosmëri për të promovuar sektorin ka çuar në gabime në verifikimin e investitorëve të mundshëm.
Lidhje me trafikantin e dënuar të drogës, i falur më vonë
Maqedonia e Veriut legalizoi kultivimin e kanabisit mjekësor në vitin 2015 dhe ia dha detyrën për të monitoruar investitorët një komisioni prej pesë personash nën Ministrinë e Shëndetësisë, i cili pritet të gjurmojë prodhimin me detaje të vogla dhe të kryejë inspektime të çdo plantacioni dy herë në vit.
Por, vetëm pasi Zaev erdhi në pushtet në 2017, industria mori vërtet hov. Ai bëri parashikime për 250 milionë euro të ardhura, zhvillime të reja dhe vende të reja pune.
Në kohën kur Zaev u largua nga detyra në vitin 2021, më shumë se 60 kompani kishin leje, të cilat vinin me rregulla strikte se si duheshin kryer operacione të tilla, duke përfshirë mbajtjen rigoroze të të dhënave dhe standardet e larta të sigurisë, nga vëzhgimi me video deri te gardhet e larta. Në fakt, rreth gjysma po prodhojnë.
Rregullat, megjithatë, nuk i ndaluan pronarët e plantacioneve në rajonin e Ohrit që të kultivonin shumë më tepër bimë sesa i raportonin shtetit, sipas të dhënave të policisë nga 13 korriku i vitit të kaluar. Pasi kishin raportuar vetëm 600 nga 1,000 bimët që ata po kultivonin, pronarët kishin ndërmarrë hapin e guximshëm për të mbjellë 2,000 të tjera jashtë plantacionit origjinal, në ajër të hapur, gjë që është rreptësisht e ndaluar.
Policia gjeti shtatë kilogramë boçe kanabisi më shumë se sa ishte raportuar tek autoritetet. Madje kishte edhe një kat të dytë ku nxirrej vaj kanabisi, pavarësisht se plantacionet nuk kishin lejen e posaçme për një operacion të tillë. Dhe kamerat e mbikëqyrjes nuk funksiononin.
Në plantacionin tjetër në zonë, afër qytetit të Strugës, kamerat e mbikëqyrjes gjithashtu nuk ishin mirë dhe mbulonin vetëm pjesë të objektit, zbuloi policia gjatë bastisjes së korrikut. në gardhin me tela kishte vrima aq të mëdha, saqë një njeri mund të hynte dhe të dilte lehtë dhe afërsisht 1,000 bimë kanabisi po rriteshin në mjedise të hapura, jashtë kompleksit.
Plantacioni i parë, në Ohër, operohet nga një kompani e quajtur Greengo 2018, e cila ka tre pronarë, ndërsa tjetri, në Strugë, është pronë e Green & Bio Farm, në pronësi të dy personave.
Ndër themeluesit e Green & Bio Farm ishte një burrë nga qyteti i Pogradecit, përtej kufirit me Shqipërinë, i quajtur Luan Kapri. Vajza e tij, Marinela Kapri, është një nga tre pronaret e Greengo 2018.
Luan Kapri, i cili shiti aksionet e tij te Green & Bio pesë muaj para bastisjes së policisë, zotëron një kompani në Shqipëri të quajtur REJ 3, e cila merret me grumbullimin e mbetjeve dhe hidrocentralet dhe ka bashkëpunuar gjerësisht me autoritetet lokale.
Partneri i Kaprit në REJ 3 është një tjetër shtetas shqiptar i quajtur Gëzim Salillari, i cili, sipas autoriteteve italiane, kontrabandonte drogë në qytetin jugor të Barit nga porti shqiptar i Durrësit në fund të viteve 1990.
I dënuar nga një gjykatë e Barit në vitin 2002 me tetë vjet burg, më vonë i reduktuar në katër, Salillari jetoi i lirë në Shqipëri deri në vitin 2006, kur u arrestua në Durrës me urdhër të Interpolit. Megjithatë, ai iu shmang burgut, falë një vendimi të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë se urdhri i arrestit ishte i paligjshëm me arsyetimin se 294 faqe dokumente të çështjes nga gjykata e Barit nuk ishin përkthyer në shqip.
Ndërkohë, në korrik 2006, Salillari përfitoi nga një projektligj faljeje nga ministri i atëhershëm i drejtësisë i Italisë, Clemente Mastella, për të liruar hapësirat e burgut.
Figurë e krimit serb
Lidhjet e Kapri me Salillarin nuk ishin një problem, për sa u përket autoriteteve në Maqedoninë e Veriut. Sipas ligjit, për të marrë një leje për kultivimin e kanabisit mjekësor, investitori duhet të konfirmojë me shkrim se nuk është dënuar për ndonjë krim të lidhur me drogën. Kapri nuk ishin të dënuar, dhe as vajza e tij, kështu që Greengo 2018 dhe Green & Bio Farm morën leje në 2019 dhe 2020.
Lejet u hoqën, megjithatë, pas bastisjeve të policisë dhe prokurorët në Strugë hapën hetime ndaj dy kompanive, secila për shkelje të rregulloreve dhe prodhim dhe tregti të paligjshme të drogës.
Për të parën u arrit një marrëveshje, por e dyta është në vazhdim. Prokuroria i tha BIRN se çështja ishte “ende në procedurë të rregullt”.
REJ 3, kompania në bashkëpronësi të Kaprit dhe Salillarit, nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Por nuk janë vetëm shfrytëzimet e Kaprit ato që janë shkak për shqetësim, tregon investigimi i BIRN.
Një tjetër investim kishte lidhje me një shtetas serb të quajtur Nebojsa Mihajloviç, i cili ishte dënuar me burg në Serbi për trafik droge, dhe Vladimir Stojinoviç, i cili kishte pasaportë greke dhe ishte akuzuar për pastrim parash në Maqedoninë e Veriut.
Problemet e tyre me ligjin nuk i penguan ata që në 2018 të themelonin së bashku një kompani në Maqedoninë e Veriut Botanique dhe të siguronin një leje në vitin 2020 për të kultivuar kanabis mjekësor në rajonin jugor të Gjevgjelisë.
Mihajloviçi, i cili ka vdekur që atëherë, është pjesë e të ashtuquajturit “Libri i Bardhë” i Ministrisë së Brendshme të Serbisë mbi krimin e organizuar, i nxjerrë në vitin 2001 pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit. Libri rendit Mihajloviçin, i njohur si “Trta”, si “personi i dytë më i rëndësishëm” në një grup krimi të organizuar me bazë në qytetin qendror serb të Jagodinës dhe që ishte i përfshirë në kontrabandë heroine në Serbi, Austri dhe Gjermani.
Në fakt, sipas raporteve të mediave serbe, Mihajloviçi u arrestua disa herë, por kreu dënim me burg për trafik droge vetëm pasi ai ishte në mesin e qindra figurave të dyshuara të krimit të kapur pas vrasjes së kryeministrit reformist serb Zoran Djindjiç në 2003.
Gjykata e Qarkut të Beogradit tha për BIRN se Mihajloviç u akuzua më pas për prodhim dhe tregti të paligjshme të drogës dhe posedim dhe tregti të paligjshme të armëve dhe municioneve, por se çështja u mbyll pasi zëvendësprokurori u tërhoq në mesin e vitit 2006.
Përveçse ishte pronar i shumicës së Botanique, Mihajloviç zotëronte një pikë karburanti dhe ndërtoi apartamente në Jagodina; në vitin 2019, firma e tij me bazë në Jagodina, Iks Trejd, pagoi 420,000 euro për të blerë nga shteti një fabrikë birrë të falimentuar që mediat vlerësonin se kapte një vlerë prej gjashtë milionë eurosh.
Pavarësisht se ka një licencë, Botanique, e cila është një degë e Iks Trejd, nuk ka raportuar ende ndonjë prodhim kanabisi, tha komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë.
Ashtu si REJ 3 në Shqipëri, Botanique nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.
Lidhje me ish-qeverinë e diskredituar
Deri në vitin 2019, partneri i biznesit i Mihajloviçit në Iks Trejd ishte Stojinoviç, i regjistruar në regjistrin e biznesit maqedonas me emrin në pasaportën e tij greke, Vlantimir Stoginovits.
Stojinoviç është nën hetim në një rast në lidhje me nxjerrjen e paligjshme të parave nga ndërtimi i një autostrade – të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian – midis qyteteve jugore të Demir Kapisë dhe Smokvicës, pranë kufirit grek.
Hetuesit kanë hetuar transaksionet e dyshimta midis kompanisë greke Aktor, e cila ishte angazhuar për të ndërtuar rrugën, dhe një kompanie maqedonase në pronësi të Stojinoviç të quajtur Invikta.
Hetimi është në vazhdim, por mund të ndahet në dy pjesë, ku një pjesë, që ka të bëjë me Stojinoviçin, t’u kalohet autoriteteve greke, thanë burimet e prokurorisë për BIRN.
Në vitin 2015, kur autostrada ishte në ndërtim e sipër, Stojinoviç krijoi një kompani të përbashkët – VSM Inter – me një kompani offshore të quajtur Eksiko, një firmë që ishte përfshirë në një numër marrëveshjesh të diskutueshme biznesi nën qeveritë e ish-kryeministrit të arratisur Nikola Gruevski midis 2006 dhe 2016.
Më vonë në gjykatë doli se Eksiko është në pronësi të familjes së Saso Mijalkov, kushëririt të Gruevskit dhe ish-kreut të policisë sekrete, i cili u dënua në vitin 2021 për shpërdorim detyre për blerje të paligjshme të pajisjeve të mbikëqyrjes.
Stojinoviç nuk mund të kontaktohej për koment dhe kompanitë që ai zotëron në kryeqytet, Shkup, nuk janë më në adresat e tyre të regjistruara./ Reporter.al