Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Zana Spahiu emërohet u.d. Drejtoreshë e RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka dhënë dorëheqjen
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), ka njoftuar se Zana Spahiu është emëruar ushtrues detyre e Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së.
Emërimi i Spahiut ka ardhur pas dorëheqjes së Shkumbin Ahmetxhekajt nga kjo pozitë.
Përmes një komunikate për media, bordi i RTK-së ka bërë të ditur se Ahmetxhekaj kishte paraqitur dorëheqjen e tij me datë 23.05.2024.
“Sipas kërkesës dhe përcaktimit nga ana e tij, dorëheqja do të jetë efektive nga data 08.07.2024, gjë për të cilën ka marrë edhe dakordimin e Bordit të RTK-së në mënyrë që të kryhen punët që kanë qenë në proces, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së” – thuhet në njoftim.
Fillimisht Shkumbin Ahmetxhekaj me 19.01.2022 ishte emëruar ushtrues detyre i drejtorit, e më pas përmes një konkursi, me 20.06.2022 ishte emëruar Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së.
Tutje në njoftim, bordi i RTK-së ka thënë se me Ahmetxhekaj ka pasur një bashkëpunim korrekt, por javë më parë ka pasur mospajtime dhe qasje të ndryshme lidhur me rastin e dhunës psikike, sipas bordit, që ka ushtruar drejtori i Radios, Arsim Halili ndaj disa grave të në RTK, e veçanarisht ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore.
“Bordi ka pritur që drejtori i përgjithshëm ta trajtojë këtë rast konform përgjegjësive të tij. Bordi rithekson që dhuna psikike dhe çfarëdo lloj presioni i ngjashëm nga kushdo ndaj kujtdo, janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen në RTK” – thuhet në njoftim.
Ushtruesja e detyrës e emëruar Zana Spahiu është e diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Ajo nga 2010 ajo filloi punën në RTK si juriste, derisa në vitin 2022 u zgjodh udhëheqëse e zyrës Ligjore në RTK. Ajo ka mbi 14 vjet përvoje pune në fushën ligjore.