Zafir Berisha pranon se e kanosi Shaqir Totajn, dënohet me 600 euro gjobë

Zafir Berisha, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, është dënuar 6 muaj burgim, dënim i cili më pas me pëlqimin e Berishës, u zëvendesua me 600 euro gjobë, për kanosjen e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj (PDK).

Berisha u akuzua se përmes telefonit ka kanosur të parin e Prizrenit, Shaqir Totajn.

Berisha paraprakisht para gjykatës ka pranuar fajësinë.

Ai të martën ka dhënë versionin e tij rreth rastit.

“Nuk muj me thanë që s’i kam shkru sms”- tha Berisha.

Gjykimi ndaj Zafir Berishës, 18 tetor 2022, Foto: KALLXO.com

Pas pranimit të fajsësisë, Gjykata i shqiptoi 6 muaj burgim por me pëlqimin e të akuzuarit ky dënim iu zëvendesua me 600 euro gjobë.

Në këtë gjykim mungoi Shaqir Totaj, i cili sipas Prokurorisë është i dëmtuar në këtë rast.

Sipas prokurorisë Zafir Berisha më 23 qershor 2022 akuzohet se përmes telefonit e ka kanosur Totajn.

“Do gjëra është dasht me koh mi sqaru jo tash mu sjell “kalova lumin …. spom duhet kali”, se jeta është me e gjate se sa pe llogarit”, është mesazhi që Berisha dyshohet t’i këtë dërguar kryetarit të Prizrenit.

Dosja e prokurorisë tregon se Berisha tutje edhe ditën pasuese ka dërguar përsëri mesazh të Totaj: “Me kan than qe je pis dhe i paftyr po skam besu sot ma vërtetove, ti po mendon qe me ke përdor si salvet një perdorimshe po dije pa ti q* r*** met ngre zhag neper Prizren nuk e prishi koalicionin si pot mesij mercenaret e vv dhe hajnat qe i ki i ke afër, dije këtë”.

Prokuroria në akuzën e saj ka konstatuar se me këto mesazhe është shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij te i dëmtuari Totaj.

Me këto veprime, sipas aktakuzës Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale të kanosjes.