Zafir Berisha, Koordinator Kombëtar për Siguri Kibernetike. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zafir Berisha kandidat i Nismës Socialdemokrate për kryetar të Prizrenit

NISMA Socialdemokrate ka zyrtarizuar kandidaturën e Zafir Berishës për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet që do të mbahen në muajin tetor.

Dega e Nismës në Prizren ka njoftuar se tashmë janë në fazën e caktimit të kandidatëve për asamble komunale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 17 tetorin 2021, datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Me të njëjtin vendim, Presidentja Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi.

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka zyrtarizuar Anton Qunin kandidat për Prizrenin dhe Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar Shaqir Totajn.

Prizreni aktualisht qeveriset nga Mytaher Haskuka i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ende nuk është deklaruar nëse do të rikandidojë.

Partitë e tjera ende nuk kanë bërë zyrtarë emrat e kandidatëve të tyre.

Afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjeve fillon më 17 qershor dhe përfundon më 16 gusht.

Deklarimi i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes Koalicionit fillon më 16 qershor dhe përfundon më 30 qershor.

Dorëzimi i kërkesës në institucione për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme fillon më 22 qershor dhe përfundon më 23 gusht.

Periudha e fushatës zgjedhore fillon më 16 shtator dhe përfundon më 15 tetor.

Afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës fillon më 10 korrik dhe përfundon më 18 gusht.

Periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës fillon më 15 shtator dhe përfundon më 15 tetor.

Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve të ngujuar në shtëpi fillon më 18 gusht dhe përfundon më 2 tetor.