Zafir Berisha ftohet nga Gjykata Speciale

Zafir Berisha, ish deputet i partisë NISMA është ftuar sot nga Gjykata Speciale.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur Berisha përmes një publikimi në Facebook duke shkruar se shpreson se kjo gjykatë është përpjekja e fundit për njollosjen e luftës së UÇK-së.

Berisha po ashtu ka shkruar se gjykimet nga kjo gjykatë janë ofendim për mijëra qytetarë të vrarë gjatë luftës së fundit.

“As padrejtësitë e radhës nuk do ta zbehin luftën dhe përpjekjen e UÇK-së për liri. Ftesa nga Gj.Speciale në Hagë po shpresojë se është përpjekja e fundit për ta njollosur luftën dhe sakrificën shekullore të shqiptarëve për liri në trojet e veta. Tendenca për ta krahasuar luftën çlirimtare të UÇK-së me luftën gjenocidale të Serbisë nga kjo gjykatë e cila është produkt i një “raporti” me të dhëna nga Serbia dhe mbetjet e tyre në Kosovë, është ofendim për mijëra qytetarë të vrarë nga aparati shtetëror i Serbisë. (Më në fund, dikush po i korrën “frytet” e luftës speciale 20 vjeçare kundër vlerave të UÇK-së dhe eksponentëve të saj)! Për dy dekada është heshtur, përballë një fushate të orkestruar kundër luftës, luftëtarëve (UÇK-së) dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare!”, ka shkruar Berisha.