Zaev propozon zgjedhje të parakohshme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka propozuar mbajtjen e zgjedhjeve te parakohshme parlamentare, pas dështimit për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Në paraqitjen e parë para mediave pas Samitit në Bruksel, Zaev tha se është i zemëruar me vendimin negativ të krerëve evropianë, të cilët siç tha, nuk mbajtën premtimin e dhënë.

“Ne kryem obligimet tona, por jo edhe ata. Ne jemi viktimë të gabimit historik që tek ne ka shkaktuar dëshpërim të madh. Ky gabim i Unionit (Bashkimit Evropian) është gabim i madh”, tha Zaev duke shtuar se megjithëkëtë dështim ai merr përgjegjësinë andaj edhe propozon mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Propozoj zgjedhje ta parakohshme, sa më shpejt në të cilat qytetarët do të sjellin vendimin dhe konfirmimin për rrugën e vendit tonë. Zgjedhjet do t;i propozoj në takimin e së dielës të liderëve tek presidenti Stevo Pendarovski”, ka deklaruar Zaev.

Ai ka falenderuar liderët evropianë që mbështeten Maqedoninë e Veriut për marrjen e datës, por vendimi negativ tha se është pasojë e çështjeve të pazgjidhura brenda BE-së. Kreu i qeverisë aktuale tha se beson që qytetarët në zgjedhje do t’i japin mbështje politikave të deritanishme të integrimit, reformave, zhvillimit ekonomik dhe perpsektivës së vendit.