Zoran Zaev - Foto: REL/AP

Zaev: E solla Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe sepse kisha guxim

Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë së Veriut, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk e ka problem që të pranojë që kryeministri të jetë shqiptarë, por se nuk do të lejojë që kjo të arrihet përmes shantazheve.

Zaev thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve me të cilin mundësohet një shtrirje më e gjerë e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është meritë e tij dhe guximit të partisë që drejton.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zaev, në këto zgjedhje ju thoni se shqiptarët duhet t’u besojnë votën sepse dëshmuat se angazhoheni për interesat e shqiptarëve përmes konceptit “një shoqëri për të gjithë”, duke vënë theksin në miratimin e të Ligjit të gjuhëve, me ç`rast gjuha shqipe arrin një shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtar. Po të njëjtën gjë e thotë dhe partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, se ata janë meritor për këtë. Cila është e vërteta?

Zoran Zaev: E vërteta është realiteti i ri në shtet.

BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim) ishte në pushtet për 17 vjet. Ishte pjesë e pushtetit edhe me VMRO-DPMNE-në edhe LSDM-në para se të vijë Zoran Zaevi dhe kjo kryesi e re e Lidhjes Social-Demokrate. Pse nuk e sollën Ligjin për gjuhën përderisa këtë e parasheh Kushtetuta?

Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe nuk e sollën për shkak se nuk kishin guxim as BDI-ja, as VMRO DPMNE-ja e as udhëheqësitë e kaluara të LSDM-së, flas për periudhën gjatë vitit 2006 kur socialdemokratët ishin në pushtet.

Ne sollëm ligjin për shkak se kishim guxim, u sqaruam qytetarëve se nuk humbet askush asgjë me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Keni deklaruar se nuk do të mbështesni idenë e BDI-së për kryeministër shqiptarë, pse?

Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet unitar. Të gjithë jemi qytetarë të barabartë, ndërtojmë shoqëri multi-etnike dhe absolutisht çdo lloj ndarjeje dhe nacionalizmash, për ne është e papranueshme. Këtu qëndron shantazhi.

Unë nuk e kam problem që do të jetë kandidat shqiptar për kryeministër, kryetar të shtetit, për kryetar të parlamentit. E kam dëshmuar këtë. Por, nuk do të pranoj shantazhe sepse dikush ashtu mendon, nuk guxojmë ta bëjmë këtë për shkak të qytetarëve.

Qytetarët janë ata që vendosin se në cilin drejtim duhet të ecë shteti.

Atëherë pse duhet t’ju votojnë shqiptarët kësaj radhe? Cilin post do t`ua ofroni qetetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut , votat e të cilëve ishin vendimtare që të mund të merrni pushtetin?

Kam dëshmuar se jam politikan i cili nuk është i ngarkuar, për cilindo qoftë funksion në shtet nuk kam problem, për sa i përket përkatësisë etnike.

Madje edhe për postin e kryeministrit?

Po edhe për postin e kryeministrit, madje edhe presidentin e shtetit që është funksion edhe më i lartë në shtet.

Ministër të Financave, ministër të Punëve të Brendshme, nuk e di se në cilin dikaster nuk kemi pasur ministër shqiptar, nuk kam problem me asnjë nga ministritë, por për mua e rëndësishme është të propozojnë njeri, para së gjithash nga LSDM-ja (Lidhja Social Demokrate) ose (Lëvizja) Besa po edhe partitë tjera, me të cilat do të bisedojmë për koalicionin, kërkoj njeri të dëshmuar, njeri të përkushtuar, të dëshmuar, të aftë, por edhe njeri që di ta dëgjojë popullin, të jetë i qasshëm dhe të dijë të punojë me sukses.

Na duhen njerëz të suksesshëm. Katër vjet janë nder, por edhe përgjegjësi që të shënojmë historinë, ne politikanët, që nesër të mundemi fëmijëve tanë, të cilët do të na ulen në prehër, t’u themi ‘dëgjoni me gjyshin, xhaxhin, kur ishim ne në pushtet atëherë ia doli shteti’. Këtu është filozofia e ndershmërisë dhe përgjegjësisë.

Kjo është një mundësi e rrallë që t’i jepet dikujt mundësia nga populli, që të jetë kryeministër, ministër, kryetar i parlamentit, deputet, kryetar i shtetit dhe ngjashëm. Duhen njerëz, ka njerëz që janë punëtorë dhe jopunëtorë, ka të mirë dhe të këqij, që kanë kualitete dhe nuk kanë kualitete, ashtu duhet parë njerëzit.

Zoti Zaev, në këto zgjedhje ia caktuat vetes për qëllim që ta mundni oponentin tuaj politik, VMRO-DPMNE-në dhe partnerin tuaj të deritanishëm qeveritar, BDI, në njësinë zgjedhore 6. Nëse e keni pasur aq vështirë me BDI-në, përse pritët tre vite duke qeverisur bashkë?

Nuk keni shumë opsione në politikë për të zgjedhur. T’jua rikujtoj edhe juve, edhe gjithë atyre që na ndjekin: ne fituam 49 deputetë pas “bombave”, pas hapjes së tërë atij krimi. Shteti tërësisht mbeti i shkretë dhe opsionet përmes numrave, të cilët qytetarët tanë i japin nëpërmjet votimit, janë opsionet të cilat i keni në dispozicion.

Thjesht, nuk ekzistonte asnjë opsion tjetër përveç koalicionit me BDI-në, që të mund të bëhet shumicë parlamentare. Të gjitha partitë tjera më të vogla ishin me nga 5 deputetë, 3 deputetë, 2 deputetë, të cilat, thjesht, nuk jepnin mundësi për koalicion parlamentar të mundshëm, për shumicë parlamentare të mjaftueshme.

Por, çka nëse rezultatet sërish ju çojnë në koalicion me BDI-në?

Tani nuk ka shans të na çojnë në koalicion me BDI-në, për shkak se opsionet, përkundër oponentit të parë dhe direkt të BDI-së, ato janë Aleanca dhe Alternativa, janë afër me mandate.

Po edhe sikur të ketë dallim me 2 apo 3 deputetë plus/minus, për cilëndo qoftë nga këto dy oferta politike, apo opsione politike, mes BDI-së dhe Aleancës së bashku me Alternativën, atëherë realisht na japin opsion të zgjedhim./REL