Parlamenti Europian, Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com
Youtuberi i rrengjeve zgjidhet eurodeputet i Qipros
Një youtuber i njohur nga Qiproja është zgjedhur si eurodeputet i pavarur në Parlamentin Europian, shkruan BBC.
Fidias Panayiotou më parë e kishte përshkruar veten si “gabimbërës profesional” dhe disa prej rrengjeve të tij online përfshijnë përpjekjen për t’i përqafuar 100 figura të famshme – përfshirë Elon Muskun – dhe e kishte kaluar një javë në një arkivol.
24-vjeçari ka më shumë se 2.6 milionë “subscribers” dhe – pavarësisht se s’ka kurrfarë përvoje politike – ia ka dalë të marrë vendin e tretë me numrin e votave me 19.4 për qind.
“Ishte shok çfarë ndodhi, një mrekulli”, ka thënë Panayiotou.
Ai ka deklaruar për transmetuesin CyBC: “Partitë duhet ta marrin si vërejtje se duhet të modernizohen dhe t’i dëgjojnë njerëzit”.
Vjet, Panayiotou u detyrua të kërkonte falje pasi kishte shkaktuar zemërim në Japoni me një video në YouTube ku nuk kishte paguar biletat e trenit dhe faturën e një hoteli me pesë yje.
Xhirimi, i cili ishte shikuar nga miliona shikues, e pasqyronte duke udhëtuar me trenin e shpejtë, duke iu shmangur pagesave të biletave, duke u fshehur në toalete dhe duke u shtirë se ishte sëmurë.
Por të dielën ai ka festuar fitoren me një tubim në Sheshin Eleftheria në kryeqytetin e ishullit, Niikozia, ku deklaroi: “Ne po e shkruajmë historinë. Jo vetëm në Qipro, por ndërkombëtarisht”.
Sipas Politicos, Panayiotou ka deklaruar në janar se do të garonte në zgjedhjet evropiane. Në një paraqitje në televizion qipriot, Aplha Cyprus – i shfaqur me atlete, tuta, setër dhe tri kollare – ai e kishte pranuar se asnjëherë nuk kishte votuar, dinte shumë pak për politikën dhe BE-në, porse më nuk mund të rrinte duarkryq kundrejt sundimit të vazhdueshëm të“të krisurve” në Bruksel.
Kur Panayiotou zyrtarizoi kandidaturën në prill, e pranoi se qëllimi i tij nuk ishte të zgjidhej, por t’i motivonte të rinjtë të përfshiheshin në politikë. Shteti ishullor mesdhetar ka popullsi prej rreth 900 mijë banorësh, prej të cilëve 683 mijë u regjistruan për të votuar në zgjedhjet e fundjavës, shkruan BBC.
Dalja në zgjedhje në Qipro ishte pak nën 59 për qind – rritje nga 45 për qind sa kishin dalë në zgjedhjet e vitit 2019, me analistët që ia atribuuan ngritjes edhe “faktorin Fidias”.
Sipas analizës së sondazheve të faqes informative “Philenews”, Panayiotou fitoi 40 për qind të votave nga grupmosha 18-24 dhe 28 për qind të votave nga grupmosha 25-34.
Gjashtë eurodeputetë janë zgjedhur nga Qiproja.
Panayiotou doli i treti pas partisë konservatore DISY(25 për qind), e cila riktheu dy mandate, dhe partisë komuniste AKEL (22 për qind), e cila humbi njërin prej dy mandateve në Parlamentin Evropian. Votuesit qipriotë e zgjodhën një eurodeputet edhe nga partia ultranacionaliste ELMA(11 për qind) dhe partia centriste Diko (10 për qind).
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com