YIHR publikon raport për gjuhën diskriminuese në tekstet shkollore, zbulohen mbi 100 raste të tilla
Nisma për të drejtat e njeriut, YIHR, publikon raportin “Gjuha Diskriminuese në tekstet shkollore” në kuadër të javës të të drejtave të njeriut.
Marigona Shabiu, drejtoresha ekzekutive e YIHR, tha se raporti ka nxjerrë në pah mbi 100 raste të përdorimit të gjuhës dhe imazheve diskriminuese në tekstet shkollore.
“E rëndësishme të punojmë bashkë dhe ndryshojmë këtë situatë”– tha Shabiu.
Ajo gjithashtu tregoi se zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi e ka anuluar pjesëmarrjen vetëm disa minuta para fillimit të konferencës.
Shabiu, mospjesëmarrjen e Ministrisë në këtë aktivitet e cilësoi si skandaloze.
“Për ne është skandaloze sepse ata janë përgjegjës për këto tekste”– u shpreh drejtoresha e YIHR.
“Fakti që nuk janë këtu tregon pagatishmërinë që të merren dhe t’i trajtojnë këto gjetje”– shtoi e njëjta.
Një nga gjetjet e raportit është që në një tekst shkollor të biologjisë personat me Sindrom Down përshkruhen me termin “idiotë mongoloidë”, dhe ky tekst si i tillë nuk është përmirësuar që nga viti 2009.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj ishte pjesëmarrës në publikimin e këtij raporti.
Ai u shpreh se ka anomali dhe defekte në tekste shkollore dhe se të njëjtat përmbajnë gjuhë të urrejtjes.
“E të mos flasim për format e papërshtatshme të prezantimit të qytetarëve”– vazhdoi i njëjti.
Ai tha që Institucioni i Avokatit të Popullit i ka kërkuar Ministrisë të Arsimit që të hartojë një udhëzues për eliminimin e gjuhës së urrejtjes që duhet të zbatohet në të gjitha tekstet shkollore, të ketë analizë të plotë të teksteve shkollore për përfshirjen e grupeve diverse dhe të unifikohet gjuha terminologjike.