YIHR: AKI nuk na dha qasje se sa persona përgjuan në vitin 2018

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS) ka reaguar pasi që Agjencia Kosovare e Inteligjencës nuk i ka ofruar qasje në personat të cilët i ka përgjuar.

Sipas njoftimit të YIHR-së, më 16 korrik 2019, i janë drejtuar AKI-së me kërkesë për qasje në informata publike të këtij institucioni, duke kërkuar këto informata se sa raste i ka përgjuar AKI-ja gjatë vitit 2018?

“Kërkesa e bazuar në Ligjin nr. 03/L-215 për Qasje në Dokumente Publike dhe në vendimin me numër 48135/06 Youth Initiative for Human Rights v Serbia të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është refuzuar nga AKI nën arsyetimin se vënia në dispozicion e këtyre informatave kompromenton metodat dhe organizimin e punës të AKI-së, të cilat për këtë institucion trajtohen si Informatë e Klasifikuar”, ka njoftuar YIHR.

Kjo nismë sërish ka kërkuar më datë 29 korrik 2019, AKI-së për rishqyrtim të kërkesës për qasje në informata, e cila përsëri është refuzuar nga ky institucion me të njëjtin arsyetim.

“Pas refuzimit të kërkesës së dytë, me 27 gusht të vitit 2019, YIHR KS i është drejtuar me ankesë Institucionit të Avokatit të Popullit si një mekanizëm për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu YIHR KS thotë edhe se duke marrë parasysh të gjithë rrethanat, bazën ligjore si dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me datë 27 shtator 2019, i është drejtuar me shkresë drejtorit të AKI-së duke kërkuar informata për veprimet që AKI i ka ndërmarrë në lidhje me kërkesën e YIHR KS.

“Përgjigja nga AKI është kthyer me datë 11 tetor 2019 përmes së cilës Avokati i Popullit njoftohet për veprimet që ky institucion ka ndërmarrë përkitazi me kërkesën. Konkludimet ligjore nga rekomandimi i Avokatit të Popullit, ndër të tjerash sqarojnë se qasja në dokumente publike është e drejtë e garantuar me Kushtetutë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas YIHR transparenca dhe llogaridhënia në institucione publike, duke përfshirë edhe AKI-në, duhet të jenë parimet kryesore mbi bazën e të cilave u shërbehet të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“E drejta për qasje në informata dhe dokumente publike është e drejtë e garantuar dhe si e tillë duhet të respektohet nga të gjitha institucionet publike. YIHR KS do të vazhdoj të mbrojë, kërkojë dhe promovojë të drejtat e njeriut duke kërkuar llogaridhënie dhe transparencë për rastet dhe personat e përgjuar nga AKI përmes mekanizmave ligjor, me qëllim që qytetarët e Kosovës të jenë të informuar dhe të kenë qasje në informatat publike të rëndësishme për sigurinë e tyre”, thuhet në fund të njoftimit.