Ilustrim

Xhiroi veten duke gjuajtur me armë, pas disa muajsh arrestohet dhe i konfiskohet arma

Policia e Kosovës ka arrestuar në person në Mitrovicë, pasi tek i njëjti ka gjetur në posedim një armë automatike pa leje përkatëse.

I njëjti dyshohej se kishte disa incizime në telefonin e tij duke gjuajtur me armë, ka njoftuar Policia.

“Me datën 24 prill 2018, rreth orës 15:00, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në një pikë kontrolli gjatë kontrollimit të një automjeti të ndaluar, Policia ka marrë informatën se në telefonin e të dyshuarit E.B., 23 vjeçar kishte disa incizime duke shtënë me armë”, ka njoftuar Policia.

“Urdhër kontrolli u realizua me datën 03.07.2018, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme për posedim të armës, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit në fjalë, është konfiskuar një armë automatike A47, dy (2) karikatorë dhe njëzet e një (21) fishekë të së njëjtës armë”, ka bërë të ditur Policia përmes një njoftimi për media.

Sipas komunikatës së Policisë, i njëjti është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është lirua në procedurë të rregullt.

“Është arrestuar i dyshuari E. B., 23 vjeçar, i cili dyshohet se ka pasur në posedim armën dhe dëshmitë tjera dhe pas procedurave intervistuese i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit lirohet në procedurë të rregullt”, përfundon njoftimi i Policisë.