Foto: HRT/IMS

Xhelal Sveçla tregon për gjendjen shëndetësore të të mbijetuarve në aksidentin në Kroaci

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për gjendjen shëndetësore të të aksidentuarve në Sllavonski Brod në Kroaci.

Sipas njoftimit të ministrit Sveçla, i aksidentuari i cili ka qenë në gjendje të rëndë ka dalë nga kujdesi intensiv. Po ashtu, dy të aksidentuar janë liruar sot nga spitali ndërsa tre do të lirohen nesër.

“Përderisa gjatë tërë ditês ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave të aksidentit në Sllavonski Brod, të cilët u sollën sot dhe po varrosen në vendlindjet e tyre, lajme të mira vijnë nga Kroacia. Dy bashkëkombas u liruan nga spitali e tre lirohen nesër kurse edhe Muharremi ka dal nga kujdesi intenziv dhe është në gjendje stabile. Gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt, e familjarëve të viktimave forcë për ta përballuar dhimbjen!”, ka shkruar ai.

Në Kosovë arritën sot trupat e viktimave që vdiqën të dielën në aksidentin në Kroaci.

Automjetet që bartnin kufomat e viktimave të aksidentit në Kroaci vazhduan rrugën në Kosovë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Karvani i makinave që i solli ato udhëtoi nga Kroacia, përmes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën kur autobusi me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.