Xhelal Sveçla, viziton pikën kufitare afër Leposaviqit

Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, sot ka njoftuar se ka vizituar pikën kufitare në Jarinje.

Ai, përvec kësaj vizite, për të cilën njoftoi se pa për afër punët që po bëhen gjatë kontrollimit të personave për të parë se a janë të prekur me COVID-19, njoftoi se ka vizituar edhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Ky është postimi i plotë i tij në Facebook:

Ishte ditë e ngarkuar por kështu po e kërkon situata.

Sot kam takuar nënkryetarin e Komunës së Vushtrrisë z. Besim Muzaqi me të cilin diskutuam për situatën në komunë veçanërisht për fshatin Smrekonicë në të cilin kanë rezultuar disa të infektuar.

Pastaj, kam vazhduar vizitën në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri ku u prita nga drejtori, z. Ismail Smakiqi. U njoftova për së afërmi për gjendjen dhe kushtet për banim në kampusin e Akademisë dhe më njoftuan se aty ka kapacitet për akomodimin e 686 personave.

Sot poashtu takova edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri ku diskutuam për mobilizimin e komunës rreth pandemisë dhe vazhdova tek kampi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës “Belvedere”, në Mitrovicë. Edhe aty pashë kushtet e akomodimit në rast se rritet numri i refugjatëve ditëve në vijim.

I përfundova takimet në pikën kufitare në Jarinje meqenëse aty po bëhet një punë e madhe e gjithë stafit. Përgjegjësit nga pika kufitare më njoftuan për procedurat e kontrollimit të qytetarëve të cilat po bëhen me rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-së.

Të gjitha këto vizita por edhe të tjerat ditëve në vijim kanë për qëllim mobilizimin për qfarëdo situate ditëve në vijim. Përpjekjeve tona për të parandaluar përhapjen e virusit duhet tu bashkohen edhe qytetarët duke respektuar të gjitha rekomandimet dhe vendimet e institucioneve.