Xhelal Sveçla reagon pas publikimit të lajmeve për draft projektligji e ri të pagave

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me shkrimet dhe lajmet për draft projektligjin e ri për pagat e zyrtarëve publikë.

Sipas Sveçlës, ende nuk ka draft final të Ligjit për pagat e zyrtarëve publikë.

Ai ka shtuar se nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit.

KALLXO.com ka publikuar një mori shkrimesh nga propozim projektligjin e ri për vlerën e koeficientit të zyrtarëve publik.

Për shkak të mungesës së vlerës monetare të koeficientit, janë publikuar vetëm numrat në bazë të pozitave të zyrtarëve shtetëror.

“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, thuhet në reagimin e Sveçlës.

Ai shton se lajmet për vlerën e koeficientit e publikuar në media sot është dezinformatë.

“Kjo valë e dezinformatave ka për qëllim krijimin e konfuzionit dhe krijimin artificial të pritjeve me idenë se këto pritje pastaj shumë lehtë mund të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive dhe ngritje të debateve të kota krahasuese. Ju bëjmë me dije që ministria jonë do të ndajë draftin final me publikun në momentin kur i njëjti të finalizohet”, thotë tutje Sveçla.

KALLXO.com raportoi sot se në Ligjin e shfuqizuar për pagat për zyrtarët e sektorit publik, koeficienti më i ulët në Policinë e Kosovës ka qenë për kadetin policor, pozitë kjo që kishte koeficient 1.

Me propozimin e ri për ligjin e ri të pagave koeficienti për kadetin policor është rritur në 2.

Pas shfuqizimit të Ligjit për pagat nga ana e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2020, tashmë është hartuar një projektligj i ri ndërsa KALLXO.com ka siguruar draftin në të cilin koeficienti është nga 1 deri në 20.

Në propozimin për ligjin e ri për paga nuk është caktuar vlera e koeficientit.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Deri në publikim të këtij shkrimi, MPB nuk ka dhënë përgjigje për vlerën e caktuar të koeficientit por edhe se kush ka qenë në grupin punues të këtij drafti të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Sipas draft Ligjit të ri për paga thuhet se “për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit. Përcaktimi i vlerës së koeficientit bëhet në pajtim me legjislacionin për menaxhimin e financave publike”.