Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhelal Sveçla: Pas shkarkimit të Agim Veliut, kasafortat e sigurisë të Ministrisë i gjeta thatë

Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, në debatin “Kallxo Përnime” ka treguar se si i kishte gjetur të zbrazta kasafortat e sigurisë të Ministrisë.

“Në rastin në fjalë kur po përmendet hapja e kasafortës së Punëve të Brendshme. Aty janë dy kasaforta. Kur unë kam marrë detyrën e ministrit, njërën nga to e kemi hapur me çelësa dhe e kemi vërejtur që është e thatë. Kasafortën e dytë s’kemi pasë mundësi m’e hap, e kemi ftu kompaninë që i ka sjellë kasaforta me na asistu. Kur e kemi hapë edhe tjetrën edhe ajo ka dalë e thatë”, tha Sveçla.

I pyetur se pse është ftuar kompania që ka furnizuar Ministrinë e nuk është hapur vetë, Sveçla ka shpjeguar se gjatë dorëzimit të detyrës ai nuk kishte marrë asnjë kod nga paraardhësi i tij.

“E kemi ftuar kompaninë sepse nuk na është dorëzuar ndonjë kod kur është dorëzuar detyra”, u shpreh Sveçla.

Sipas tij, ato dokumente nuk dihet se ku janë.

“Unë mendoj se është shumë i nevojshëm një hetim për këtë çështje. Kur ne të vijmë në pushtet do të inciojmë hetime për këtë rast dhe për raste të tjera”, u shpreh ai.