Xhelal Sveçla me kryetarin e Vitisë diskutojnë për luftën ndaj COVID-19

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim ushtruesin e detyrës të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Xhelal Sveçla.

Gjatë këtij takimi ata kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve për ta tejkaluar sa më lehtë situatën me coronavirus.

Kryetari Haliti e njoftoj Sveçlën me përpjekjet dhe organizimin e komunës për ta ndërprerë përhapjen e covid-19.

“Jemi në gatishmëri të plotë me të gjitha komponentet e rëndësishme për të mbajtur situatën nën kontroll. Kemi gjashtë vatra të përhapjes së infektimit, të cilat edhe zyrtarisht janë shpallur si të tilla nga Ministria e Shëndetësisë”, citohet të ketë thënë Kryetari i Vitisë, njofton Komuna.

Tutje Haliti ka thënë se po vazhdojnë t’i gjurmojnë kontaktet e reja në mënyrë që të ndërpritet përhapja e coronavirusit.

“Kemi pasur mungesa në pajisje, por jemi gjindur disi. Besoj se me angazhim të pakursyer do të dalim nga kjo situatë. Jemi duke vazhduar edhe me dezinfektim e klorifikim të hapësirave dhe objekteve publike si dhe me shpërndarjen e të mirave materiale për komponentën sociale”, ka thënë kryetari Sokol Haliti.

Kurse ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla tha se vizita në Viti është në kuadër të vizitave që po i bën nëpër komuna për të parë nga afër gjendjen.

“Policia duhet të ruhet sepse është në vijën e parë të frontit dhe ka kontakt të drejtpërdrejt me qytetarët. I pashë edhe zjarrfikësit dhe mund të them se më dhemb zemra për ta sepse e kanë punën e rëndë”, ka thënë Sveçla.

Tutje Sveçla ka thënë se kanë  nevojë për më shumë informata nga terreni.

“Vitia është goditur e para dhe e ka pasur më vështirë. Ju inkurajoj që të mundoheni sa më shumë që ta ndalojmë përhapjen e gripit pandemik. Po ka mjaft vështirësi dhe mungesa. Lufta kundër këtij virusi është e lodhshme por do t’ia dalim. Shpresojmë se sistemi do të qëndrojë”, ka thënë ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Xhelal Sveçla.

Ai ka qëndruar edhe në fshatin Ballancë, ku ka parë nga afër përpjekjet e zjarrfikësve në fikjen e zjarrit që ka shpërthyer në atë zonë.