Xhelal Sveçla kundërshton Policinë, kërkon hetime për arrestimin e kameramanit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës të fillojë hetimet për rastin e arrestimit të kameramanit, Albion Selitaj.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Pas rastit të sotëm me kameramanin e agjencisë së lajmeve EO, Ministri i Punëve të Brendshme menjëherë ka kërkuar nga IPK të fillojë hetimet për rastin”, ka thënë Kryeziu në një postim në Facebook.

Kërkesa e ministrit Sveçla është krejt ndryshe me cfarë deklaroi Policia e Kosovës në lidhje me arrestimin e kameramanit Albion Selitaj sot gjatë ditës në Suharekë.

Policia e Kosovës gjatë ditës e ka shpjeguar arrestimin e kameramanit të një agjencia të lajmeve Albion Selitaj, sot në Suharekë, duke theksuar se i njëjti e ka penguar personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Në një njoftim, Policia ka theksuar se sot, në orën 11:45, në rajonin e Prizrenit, në Suharekë, Policia e Kosovës me njësitet e saj, gjatë realizimit të një plani operativ në asistencë të AKP-së, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare të saj “ka arrestuar një person të dyshuar pasi që i njëjti nuk ka zbatuar urdhrat e Policisë duke penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës zyrtare, si dhe në realizimin e detyrave të tyre sipas planit”.

PK tutje ka bërë të ditur se personi i dyshuar është shoqëruar në stacion policor për intervistim, dhe pas konsultimit me prokurorin e shtetit, rasti iniciohet dhe shkon në procedurë të rregullt për hetime të mëtejme.