Xhelal Sveçla - Foto: KALLXO.com

Xhelal Sveçla i reagon Agim Veliut: Llapjanët kanë vendosur të ju dëbojnë nga pushteti i pamerituar

Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti, Xhelal Sveçla, i është përgjigjur ministrit aktual Agim Veliut, pasi që ai akuzoi kandidatin për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqin, për nxitje të vëllavrasjes.

“E keni dëbuar Ilaz Pirevën, Fatmir Sejdiun e Vjosa Osmanin, e tash llapjanët e kanë vendosur t’ju dëbojnë juve nga pushteti i pamerituar e i korruptuar. Prej të hënës, Shpejtim Bulliqin e keni kryetar komune” ka shkruar Sveçla në Facebook.

Tutje, Sveçla Veliut i ka thënë se nuk mund të ndalet ndryshimi dhe demokracia, dhe se “PLAN-i mori fund si PAN-i”.

“E more Agim. Plumbat dikur ke pas thënë se i ke pasur prej atyre me të cilët po han bashkë tash. Nuk ndalet ndryshimi dhe demokracia” ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, e ka quajtur diskurs të nxitjes së vëllavrasjes një fjalim të kandidatit për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqit.

““Është skandaloze që një bashkëvendas i imi, i Enverit e Xhemës, në prani të një ish-Kryeministri, përdorë diskurs të nxitjes së vëllavrasjes. Neve, nuk na ndalën as plumbat, e nuk do të na ndalin as bishtat!”, kishte shkruar Agim Veliu në Facebook.

Shpejtim Bulliqi sipas një videoje të siguruar nga Klan Kosova, ku gjendet përkrah ish-kryeministrit Albin Kurti, në një konak në Llap, thotë se qytetarët duhet të bëjnë ankesa, por duhet edhe veprime kur vijnë zgjedhjet.

“E kur i bëjnë veprimet qytetarët? Kur mbahen zgjedhjet. Ndonjë kujt që punon mbrapsht edhe ndonjë bishtë sakice mbas shpinës me ia dhënë ndonjëherë bën…”, ka thënë Bulliqi.

Zgjedhjet në Podujevë mbahen të dielën (më 29 nëntor) pasi që ish-kryetari, Agim Veliu (LDK), ishte emëruar ministër në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.