Foto: ZKM

Xhelal Sveçla: Gjatë kësaj kohe policia ka arrestuar 360 persona të dyshuar

Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka folur për 100 ditët e ministrisë që ai e drejton.

Sipas ministrit Sveçla, pjesa ma e madhe e kapaciteteve të Ministrisë është drejtuar në luftimin e pandemisë COVID-19.

Tutje, Sveçla ka deklaruar se deri më 30 prill, kanë pranuar mbi 21 mijë e-maile.

“Deri më datën 30 prill, Qendra Operative ka pranuar dhe trajtuar mbi 21 mijë e-maile dhe është përgjigjur në mbi 4 mijë e 900 thirrje. Janë dhëne leje qarkullimi për mbi 12 mijë persona të cilët kryesor janë staf esencial i administratës shtetërore”, tha në mes tjerash Sveçla.

Sveçla ka përmendur edhe punën e Policisë, jashtë detyrave të ngarkuara për COVID-19, ku sipas tij kanë hetuar shumë raste dhe kanë ngritur disa kallëzime penale.

“Edhe pse policia në kapacitetin e saj të plotë ka vepruar në qëllimin e respektimit të masave të Ministrisë së Shëndetësisë në luftimin e pandemisë, gjatë periudhës raportuese ka hetuar gjithsej 296 raste të reja. Prej tyre 243 raste për substanca narkotike, 18 raste kundër korrupsionit, 18 raste krime ekonomike, 6 raste kundër pasurisë, 4 raste trafikim me njerëz, 11 raste për krime të rëndë, 18 raste krime kibernetike, 6 raste fajde, 1 rast me trafikim me armë, 2 raste kontrabandë me mallra, 1 rast me kontrabandë me emigrant dhe një rast me autokrime. Janë hetuar 586 personave të dyshuar dhe janë arrestuar 360 persona të dyshuar dhe janë ngritur 202 kallëzime penale kundër 301 personave të dyshuar”, tha Svecla në mbledhjen e Qeverisë ku janë duke u diskutuar 100 ditët e para të Qeverisë Kurti.

Xhelal Sveçla është ushtrues i detyrës së ministrit, pasi që kryeministri Kurti kishte shkarkuar Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.