Xhelal Sveçla emëron kundërligjshëm U.D kryeshefin e IPK-së

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të MPBAP-së, Xhelal Sveçla, orët e pasditës ka marrë vendim që të shkarkojë nga pozita e Kryeshefes Ekzekutive të Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi.

Ne vend të Kelmendit siç mëson KALLXO.com është emëruar Ushtrues Detyre të Kryeshefit të IPK-së, Exhevit Zukën.

Zuka është Udhëheqës i Divizionit Divizionit për Planifikim dhe Çështje Ligjore në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Sipas Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës, më saktësisht Neni 15, pika 4 thuhet qartë se “në rastet e përfundimit të mandatit, shkarkimit apo suspendimit të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, Ministri menjëherë cakton njërin nga drejtorët e departamenteve të IPK-së, si ushtrues detyre të Kryeshefit Ekzekutiv deri në përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së”.

Zuka në këtë rast është emëruar jashtëligjshëm pasi që i njëjti nuk është drejtor departamenti por udhëheqës i divizionit, pra një pozitë më poshtë se drejtori.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, në lidhje me emërimin i cili del që është në kundërshtim me Ligjin e IPK-së.

Deri në publikim të këtij shkrimi, as Zyra për Informim, as nga ana e Asistentit dhe Ministrit të MPB-së, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.

Ministri Sveçla ka qenë i paqasshëm edhe në telefon.

Inspektorati Policor i Kosovës funksionon me Kryeshefin Ekzekutiv në krye, pesë departamenteve dhe 17 divizioneve.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar për shkarkimin e Kelmendit nga Drejtoresha e IPK-së. Kjo e fundit për KALLXO.com ka thënë se vendimi për emërimin e Zukës është i jashtëligjshëm.

“Në emër të vënies në vend të ligjit, vetë autoriteti i cili më ka shkarkuar, jashtëligjshëm ka caktuar një ushtrues detyre i cili nuk është drejtor, situatë kjo e cila është e rregulluar me Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës. Unë do të paraqes rastin në Gjykatë për realizimin e të drejtave të mia dhe jam e bindur se drejtësia do të vijë në vend”, ka thënë Kelmendi.

U.D i ministrit të MPBAP-së, Sveçla me anë të një njoftimi në Facebook ka thënë se Kelmendi është shkarkuar pas analizave të gjetjeve nga dy raporte: Raporti me rekomandime për Mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018. Po ashtu kam marrë parasysh edhe letrën e rekomandimeve nga Avokati i Popullit Nr. 683/2019 lidhur me çështjen “Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës”.

Sipas tij në këto raporte konstatohen shkelje të ndryshme në menaxhimin e IPK-së dhe mes tjerash edhe rekomandohet shkarkimi i Kelmendit.

Në lidhje me pretendimet e Sveçlës, Miradie Kelmendi thotë se nuk në atë kohë nuk ka qenë në krye të IPK-së.