Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhelal Sveçla emërohet  Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është emëruar Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit.

Përmes një njoftimi për media, Zyra për Komunikimin me Publikun e kryeministrit të Kosovës, ka bërë të ditur se Sveçla është emëruar sot në këtë pozitë gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë.

“Në kuadër të përgjegjësive për zbatimin e strategjive sektoriale të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është emëruar Koordinator Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në këtë detyrë, sipas njoftimit, Sveçla do të kryej detyrat si më poshtë:

– koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve lidhur me çështjet  e luftimit të terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm;

– këshillimin e Kryeministrit lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit, dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin;

– koordinon aktivitetet e të gjitha institucioneve relevante në çështjet e luftimit të terrorizmit dhe masave kundër ekstremizmit të dhunshëm;

– koordinon, monitoron dhe mbikëqyrë zbatimin e dokumenteve strategjike të luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm;

– pranon raporte informuese nga institucionet relevante, me qëllim të përgatitjes së dokumenteve strategjike analitike lidhur me luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmin e dhunshëm;

– është përgjegjës dhe pikë kontakti ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, duke përfshirë koordinimin e organizimeve, donacioneve dhe projekteve vendore dhe ndërkombëtare;

– koordinon të gjitha raportimet rreth përgjegjësive dhe obligimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çështjen e luftimit të terrorizmit  dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Mandati i Koordinatorit Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit zgjatë deri në një vendim tjetër të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.