Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere; FOTO: KALLXO.com
Xhelal Sveçla: E kam dërguar në hetuesi çështjen e pagave shtesë për punëtorët e AME-së
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla la thënë se e ka dërguar në hetuesi gjetjen e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit rreth pagave shtesë që kishin marrë punëtorët e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent në vitin 2019.
Këto deklarata ministri i bëri gjatë raportimit të tij para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin vjetor të saj për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) kishte gjetur se në vitin 2019 me aprovim të drejtorit të AME-së dhe drejtorit të Zyrës së Financave ishin ndarë paga shtesë, në vlerë prej 960 euro për të gjithë puntorët e AME-së.
“Shuma e kompensimit për stafin që nuk janë zjarrfikës përfshirë edhe kontributin e punëdhënësit ishte 107,856€. Për këtë vlerë nuk është ofruar ndonjë dëshmi që e arsyeton shpenzimin e ndodhur për mbajtjen e orëve shtesë, punën në ndërrimin e natës apo punën”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Ndërkaq, Sveçla tha se është i shqetësuar nga gjetjet e raportit të ZKA-së.
“Jemi të shqetësuar nga gjetjet e ZKA-së kjo tregon edhe për keqeverisjen e kaluar. Drejtori i AME-së bashku me drejtorin financar në muajin mars të vitit të 2019 kishin ndarë paga shtesë për të gjithë punëntoret e AME-së. Sipas raportit të ZKA-së mjetet duhet të kthehen dhe të mos ndodhin më praktika të tilla. Unë e kam adresuar në hetuesi këtë çështje”, tha ai.