Xhavit Rexhaj: Qeverisë së re do t'i lë një mesazh me shkrim

Në emisionin ‘Kallxo Pernime’ zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka përmendur disa nga rekomandimet e tij për Qeverinë e re.

“Për Qeverinë e re do të lë një mesazh me shkrim, do të jetë pjesë e raportit të ministrit. Por do të jetë edhe pjesë e saj se çka do të bëhet”, ka thënë Rexhaj.

Sipas zëvendësministrit njëra ndër çështjet kryesore për arsimin në Kosovë është digjitalizimi i procesit mësimor.

“Puna e parë që kisha bë është rregullimi i çështjes së pajisjeve teknologjike, rregullimi i platformës për mësimin online dhe fillimi i një procesi të regjistrimit të mësimit online për afat të gjatë e jo vetëm për pandemi, por dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies”, është shprehur ai.

Sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka mbajtur një takim konsultativ me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë, Sindikatën e Bashkuar të Arsimi në Kosovë dhe Këshillin e Prindërve, në të cilin kanë diskutuar mundësinë e pushimit njëjavor për nxënësit dhe mësimdhënësit, duke filluar nga data 22 mars, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë.

Në anën tjetër, Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur kundër propozimeve të Ministrisë së Arsimit për pushim njëjavor dhe mundësisë së fillimit të mësimit online.

Numri total i rasteve pozitive është 78.380 raste nga 362.186 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.723 raste të vdekjes në vend.