Xhavit Haliti - Foto: Facebook

Xhavit Haliti nuk e di nëse do të jetë në listën e PDK-së për deputetë

Njëri prej figurave më të rëndësishme dhe më konstante të PDK-së, deputet i të gjitha legjislaturave në Kosovë, Xhavit Haliti nuk e di nëse do të jetë pjesë e listës së PDK-së për Kuvend të Kosovës.

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, në një bisedë të shkurtër për KALLXO.com, tha se nuk e di ende nëse do të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet e 6 tetorit.

“Ku e di unë, ta kshyrim njëherë listat qysh po bëhen. Me u lodhë s’jam lodhë hiç (për këtë çështje). Te ne vendosin organet, jo individi nëse do të kandidoj apo jo”, tha Haliti shkurtimisht për KALLXO.com

Xhavit Haliti momentalisht mban pozitën e kryetarit të degës së PDK-së në Komunën e Pejës.

Në zgjedhjet e fundit, të 2017, Haliti kishte marrë 10 mijë e 365 vota.

Në anën tjetër para disa muajsh ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë për kanosje ndaj ish deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Përveç Xhavit Halitit, për rastin e njëjtë akuzohet edhe ish-deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj.

Aktakuzë ndaj Halitit e Dreshajt për sulmin – kanosjen ndaj deputetit të LDK-së

6 shtatori, e premtja, është dita e fundit kur partitë politike duhet t’i dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat me kandidatët për deputetë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u ka bërë thirrje partive politike që të mos i kandidojnë për deputetë personat që kanë aktakuza për raste të korrupsionit dhe nepotizmit. Ai kishte ofruar edhe një pakt për ta nënshkruar.

Deri më tani, zyrtarisht asnjë parti nuk e ka nënshkruar paktin 10 pikësh kundër korrupsionit që është prezantuar nga Kadri Veseli.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen me 6 tetor.