Xhavit Haliti - Foto: Facebook

Xhavit Haliti i lutet Edi Ramës të hapë qendra vaksinimi për qytetarët e Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, i ka bërë thirrje publike kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të hapë qendra vaksinimi për qytetarët e Kosovës.

“Thirrje publike kryeministrit shqiptar, Edi Rama Vëlla i dashur Edi, kryeministër i Shqipërisë, marrë parasysh gjendjen e rëndë në Kosovë me pandeminë COVID-19, dhe në anën tjetër, neglizhencën e institucioneve të vendit për të siguruar vaksinën, të bëjë thirrje që të hapni disa qendra vaksinimi për të gjithë qytetarët e Kosovës” ka shkruar Haliti në Facebook.

Haliti i është lutur Ramës që të sigurojë qendra vaksinimi që sipas tij është e domosdoshme për Kosovën në këtë kohë të ligë.

“Unë dua të vaksinohem me cilëndo vaksinë që janë duke u vaksionuar bashkëkombasit e mi në Shqipëri. E, si unë janë shumë në Kosovë. Kryeministër na ndihmo të lutem që ta kalojmë edhe këtë sfidë që e ka goditur njerëzimin” ka shkruar ai.