Xhavit Drenori, Vizioni për Drenasin. Foto: Atdhe Mulla

Xhavit Drenori sërish shpall kandidaturën për kryetar të Drenasit

Xhavit Drenori ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Drenasit për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Ish-kandidati për kryetar dhe njëherësh ish-asamblisti Xhavit Drenori në këto zgjedhje do të garojë përmes Iniciativës Qytetare “Green për Drenas”.

Kjo Iniciativë, sipas Drenorit, do të merret me problematika të ambientit jetësor dhe ekologjisë, e kjo sipas tij do të jetë një mundësi e re për qytetarët e Drenasit që të angazhohen në mbrojtjen e mjedisit jetësor si top-prioritet.

“Iniciativa Qytetare “Green për Drenas” do të garojë në zgjedhjet e ardhshme lokale me kandidatin e vet për kryetar dhe me listën e vet për Asamble, duke e ndryshuar renditjen e prioriteteve, duke iu dhënë vendin meritor dhe prioritetin kryesor çështjeve dhe problematikave që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor dhe gjithçka që lidhet me të, por pa lënë fare anash edhe aktivitetet në lëmitë tjera: reformat në arsim (depolitizimi dhe meritoktacia), reforma në shëndetësi (ofrim i shërbimeve të dinjitetshme dhe pa mungesa të barërave esenciale dhe materialit bazë), cilësia dhe gjithëpërfshirja e qytetarëve në investimet infrastrukturore, zhvillimi i ekonomisë përmes stimulimit të prodhuesve dhe thithjes së investimeve, kultura, rinia, sporti dhe inovacioni”, ka shkruar Drenori në rrjetin social “Facebook”.

Ai ka premtuar zbatimin e një programi me planifikime, veprime e ndryshime konkrete, për të adresuar dhe zgjidhur problemet mjedisore dhe të ndotjes së ambientit jetësor, pasi siç thotë ai, në Drenas është në përmasa alarmante.

“Duke kërkuar vetëdijësim qytetar dhe përkrahjen tuaj në këtë kauzë aspak të lehtë, Iniciativa e re Qytetare “Green për Drenas” zotohet që të angazhohet për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë, për një Drenas më të zhvilluar, për një mjedis me ndotje minimale, ajër të pastër e ujë të pijshëm për secilin, për një qytet në të cilin të gjithë qytetarët do të ndihen të vlerësuar e të trajtuar me barazi e drejtësi”, ka shkruar tutje ai.

Deri më tani për kryetar të Komunës së Drenasit e kanë shpallur kandidaturën: Ramiz Lladrovci, Driton Ajazi dhe Arsim Mehmeti. Të tre këta janë anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.