Xharra: Mbrojtja e të dhënave personale po përdoret nga institucionet për kufizimin në qasje të dokumenteve publike

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shënuar Ditën Ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave personale ku edhe ka mbajtur konferencë për mbrojtjen e të dhënave dhe lirinë e shprehjes.

Kryeredaktorja e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN – Kosova, Jeta Xharra ka thënë se mbrojtja e të dhënave në fakt në aspekt historik është përdorur për të kufizuar lirinë e shprehjes.

Xharra tha se ekipi i KALLXO.com gjatë vitit 2021 ka bërë 172 kërkesa për qasje në dokumente publike dhe fillimisht ka marrë përgjigje në 122 prej tyre.

“Ekipi jonë në vitin 2021 i kanë bërë 172 kërkesa për qasje në dokumente publike. 122 kërkesa janë pranu, e kemi marrë përgjigje. Janë refuzu katër. Për 45 të tjera nuk kemi marrë përgjigje. Për to menjëherë e kena thirr agjencinë. 45 janë në proces. I kemi 10 raste tjera që janë në procedurë që jemi detyrua më bo ankesa formale sepse s’kanë reagu. Prej të cilave për katër na është ofru qasja dhe kanë mbet 6 pa na ofru qasje”, tha Xharra.

Kryredaktorja e BIRN në konferencë tha së pas rastit në vitin 2012 gjykata ka vendosur që është interes publik deklarimi i faturave.

“Në 2012 kemi vendos me e konfrontu agjencinë e cila ja ka mundësu atëherë kryeministrit të Kosovës me i mbyll faturat që i ka shpenzu me pare të popullit. Edhe avokati i popullit i ka ndihmu duke thënë se nuk bën kryeministrave të Kosovës me iu ekspozua çfarë kanë hangër sepse është e drejtë e tyre religjioze dhe e dietës me mbajt dietën fshehtë që na mos me pa. Kur e kemi bë padinë që ka qenë në pyetje atëherë Hashim Thaçi. Është përdor e drejta e dietës dhe e drejta religjioze. Pas konfrontimeve e kemi dërgua në gjyq në 2012 dhe e kemi fitua rastin, gjykata ka vendos që është interes i publikut me i deklaru faturat”, ka shpjeguar Xharra.

Pjesë e panelit diskutues ka qenë edhe Flutura Kusari, Këshilltare Ligjore në Qendrën Europiane për Lirinë e Mediave dhe të Shtypit. Ajo tha se në rastet kur ka interes publik gazetarët mundem me i dhënë përparësi publikimit të të dhënave personale.

Kusari përmendi disa nga shkeljet që bëhen në media sa i përket çështjes së ruajtjes të të dhënave dhe privatësisë.

“Kanë të bëjnë kryesisht me shkeljen e mbrojtjes së privatësisë së fëmijëve. Kemi raste kur është bërë publikimi i të dhënave të personave me COVID.  Publikimi i fotove të politikanëve me fëmijë në jetën private. Nuk arsyetohet publikimi i fotografive me fëmijë në ambiente private. Publikimi i emrave dhe mbiemrave që janë të përfshirë në raste kriminale. Ka raste kur institucionet publike nuk i mbrojnë të dhënat”, tha ajo.

Komisionerja e AIP, Krenare Sogojeva- Dermaku tha një diskutim i tillë i ngrit përgjegjesinë asaj dhe gjithë zyrtarëve të AIP.

“Agjencia do të shtojë organizimin e kampanjave për informim për qytetarët, për të dhënat personale dhe qasjen në dokumente publike. Agjencia është derë e hapur për qytetarët e Kosovës”, tha ajo.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shënuar Ditën Ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave personale me moton “Tash më Sigurt”.

“Kjo konferencë po ashtu synon të ngritë vetëdijesimin e akterëve përkatës dhe publikut për të drejtat dhe përgjegjësitë lidhur me mbrojtjen e të dhënave, duke ngritur kapacitetet e veta për të siguruar që Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale zbatohet sipas standardeve evropiane, duke respektuar dhe promovuar lirinë e shprehjes”, thuhet në njoftimin e AIP.

Pjesë e panelit në këtë konferencë ishin edhe Jonathan Mccully dhe Bertil Kottier.