Arkiv - Xhandarmëria serbe në fshatin Karaçevë - Mars 2020

Xhandarmëria serbe ka hyrë dy herë brenda këtij viti në fshatin Karaçevë

Në fshatin Karaçevë të Kamenicës dje kanë hyrë 11 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe. Por, kjo nuk është hera e parë brenda këtij viti që pjesëtarët e kësaj xhandarmërie hyjnë brenda territorit të Kosovës.

Edhe në muajin mars në kohën e Qeverisë Kurti, në po të njëtin fshat kishin hyrë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.

Qytetarët e fshatit Karaçevë të komunës së Kamenicës vazhdimisht ankohen për patrullime të forcave serbe në këtë zonë.

Përsëritjen e kësaj ngjarje, Qëndron Kastrati, kryetar i Kamenicës e ka quajtur si provokim, terrorizim dhe kërcënim ndaj banorëve të asaj zone dhe gjithë Kosovës.

Kastrati në lidhje me rastin e ndodhur në muajin mars kishte thënë se qytetarët e kësaj zone vazhdimisht po terrorizohen nga forcat serbe dhe se hyrja e xhandarmërisë serbe në atë zonë dhe kontrollet që i bëjnë njerëzve është ‘kërcënim direkt për qytetarët e Karaçevës në veçanti dhe për gjithë shtetin e Kosovës. Njësoj Kastrati u shpreh edhe për rastin e djeshëm dhe se hyrjen e tyre e cilësoi si një provokim dhe terrorizim ndaj një zone që është e frekurntuar nga të gjitha moshat.

 

 

Kastrati poashtu kishte thënë se terrorizimi i banorëve të Karaqevës nga forcat serbe është i papranueshëm dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi edhe forcat e KFOR-it.

Dje në orët e mbrëmjes një qytetar nga fshati Karaçevë kishte publikuar një video në Facebook e cila u bë virale ku thotë se 11 pjestarë të xhandarmërisë së Serbisë kanë hyrë në pikën kufitare të Kamenicës.

Pamjet janë xhiruar nga kamerat e sigurisë nga restauranti i qytetarit.

Sipas tij, të gjitha këta pjestarë kanë qenë me uniforma dhe të armatosur dhe kanë hyrë rreth 1 kilometër në brendësi të territorit të Kosovës në fshatin Karaçevë.

 

 

KFOR-i sot ka sqaruar futjen e xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës, duke e arsyetuar me faktin se janë patrullime të sinkronizuara.

Me anë të një komunikate për media, KFOR-i ka thënë se këto patrullime kryhen që nga viti 2008 nga forcat e Aleancës dhe Forcat e Armatosura Serbe. Këtë e mbështeti edhe kryeministri, Avdullah Hoti dhe ministri Punëve të Brendshme, Agim Veliu pas takimit të këtij të fundit me gjeneral Risin.

Hoti bëri thirrje që mos të bëhet panikë dhe as nuk ka nevojë për deklarata pompoze e defilime në vendngjarje, pa pasur idenë se si ka ndodhur ngjarja.

Ndërsa, ish-anëtari i Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi, Florim Isufi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se në analizën e realizuar nga imazhet satelitore dhe krahasimin e tyre me videot dhe foto të bëra në vendin e ngjarjes, mund të konstatohet se xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës rreth 300 metra vijë ajrore nga pika më e afërt e kufirit, ndërsa nëpër rrugë edhe më gjatë dhe rreth 700 metra nga vija kufitare në drejtim të fshatit Muhovc.

 

Sipas tij, pozicioni i realizuar nga xhirimet e kamerës së sigurisë së restorantit “Oksigjen”, janë 4400 metra larg nga pika e vëzhgimit të Policisë së Kosovës e cila është e pozicionuar kohë pas kohë në rrugën Rogoqicë-Karaçevë.

Ish-kryeministri i Kosovës sot gjatë ditës kishte vizituar vendin e ngjarjes duke thënë se institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët dhe mos të lejojnë më provokime të tilla.

Ndërsa, i pari i Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se nëse nuk dëshironi me pa xhandarmërinë serbe në Karaçevë duke të vendoset kufiri në Ristovc.