Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhafer Tahiri përplasje me LVV-në në Vushtrri, rrezikohet koalicioni

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë sot  ia ka dhënë dritën e gjelbër Planit të Rimëkëmbjes Ekonomike të propozuar nga kryetari, Xhafer Tahiri.

Planit të cilit i duhet edhe miratimi nga Ministria e Financave, nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri, parti kjo e cila është në koalicion me LDK-në e Xhafer Tahirit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se është e papranueshme që LVV të votojë kundër.

“Është e papranueshme që partneri ynë i koalicionit, VV të votojë sot KUNDËR planit të rimëkëmbjes ekonomike, sepse kryesia e partisë në një zyrë jashtë Komunës paska vendos kështu. Nuk ka kuptim të vazhdosh të jesh në një bashkëqeverisje e të minohet një plan të daljes nga kriza e një vision si do të duket Vushtrria në 10 vitet e ardhshme, pa ofruar një alternativë tjetër. Më vjen keq që politika ditore sot na ndau kur qytetarët duan që të jemi bashkë dhe të dalim nga kjo krizë e rëndë ekonomike.”, tha ai.

Ndërsa, asamblistja nga LVV në Vushtrri, Gresa Muli ka thënë për KALLXO.com se ata nuk kanë qenë kundër planit por thjesht kanë kërkuar më shumë kohë për analizimin e tij.

“ Ne e kemi kundërshtuar në mënyrën qysh është ardhë plani në Kuvend, i gjithë ai material voluminoz dy ditë para seancës ne nuk kemi pas mundësi me e lexu. Kërkesa jonë ka qenë që në një seancë të jashtëzakonshme ose në seancën tjetër të na vijnë projektet e detajuara konkrete e jo vetëm si projekte ideore me përshkrim të shkurtër. Është absurde që për një plan 107 faqe ku projektet janë vetëm si përshkrime të shkurtër të paguhen 140.000 euro.”, tha Muli për KALLXO.com

KALLXO.com ka provuar të marrë një prononcim nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, për një qëndrim të qartë, por ka qenë i paqasshëm.