Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhafer Tahiri: LDK nuk duhet të ketë votë kundër Vjosa Osmanit për presidente

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Tahiri, ka deklaruar se vota e tij në Kryesinë e partisë në lidhje me kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente do të jetë pozitive.

Ai ka lënë të nënkuptohet se do të votojë që LDK-ja ta mbështesë kandidaturën e Osmanit.

“Vota ime në Kryesinë e LDK-së pa dyshim që do të jetë në harmoni me këtë që do të jetë zëri i qytetarëve të Kosovës dhe i LDK-së e që besoj që do të jetë pozitiv dhe natyrisht që nëse është ky zë pozitiv unë do ta dëgjoj këtë zë në Kryesinë e LDK-së, pozitiv për t’u përzgjedhur [Vjosa Osmani]”, tha ai në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

Tahiri ka shtuar se beson që LDK-ja nuk duhet të ketë votë kundër Osmanit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“E them që të jemi shumë të qartë, por kjo do të varet nga këta faktorë. Nuk është një vendim i ndarë nga faktorët siç janë opinioni i anëtarësisë së LDK-së dhe qëndrimet e zonjës Osmani karshi DLK-së dhe partive të tjera në pozitën e saj si presidente”, shtoi ai.

Tahiri dhe Osmani kanë qenë bashkëpunëtorë shumë të afërt në kohën sa Osmani ka qenë në LDK.

Pas zgjedhjes së Qeverisë Kurti 2, tashmë po kërkohet që Kosova të zgjedhë presidentin e ri të vendit.

Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar një takim me Vjosa Osmanin, para se kjo parti të vendos nëse do ta mbështesë kandidaturën e saj për presidente.