Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhafer Tahiri, kryetari i ri i degës së LDK-së në Vushtrri

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, do të jetë në krye të degës së LDK-së atje, pasi Hysni Gërguri dha dorëheqje nga ky post.

Kjo u konfirmua nga vetë Tahiri në një përgjigje për KALLXO.com.

Ai tha shkurt se “kështu ka vendosur dega sot në takim, në bazë të statutit të LDK-së”.

Në anën tjetër, Tahiri ka reaguar pas dorëheqjes se Gërgurit përmes një shkrimi në Facebook, duke e falënderuar për kontributin e tij në LDK-në e Vushtrrisë, teksa shton se “bashkë do të fitojnë sërish” këtë komunë.

“I dashur Dr. Hys,Miq e aktivist të LDK-së, më lejoni që në emrin tim e të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë, të ju falënderoj nga zemra për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për LDK e për Vushtrrinë. Bashkë kemi fituar në zgjedhjet e vitit 2017, bashkë do të fitojmë sërish në Vushtrri e në gjithë Kosovën LDK mbetet përgjithmonë familja jonë e përbashkët!  Zoti ju bekoftë! Mirënjohës gjithmonë për bashkëpunimin tonë!”, ka shkruar Tahiri.

KALLXO.com raportoi sot se kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri, Hysni Gërguri, ka dhënë dorëheqje nga ky post pas rezultatit që LDK pësoi në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, e treta është radhitur Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.18 për qind, pas LVV-së dhe PDK-së.

Pas këtyre rezultateve, edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit.