Xhafer Gashi tregon pse e braktisi AAK-në e Ramush Haradinajt

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se disa premtime më herët që ia kishte dhënë ish-kryeministri dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinajt, e të cilat nuk ishin mbajtur, janë arsyet kryesore se pse ka dhënë dorëheqje nga ky subjet politik.

Në një intervistë për “Kallxo Pernime”, Gashi tha se kishte pakënaqësi fillimisht në elektorat.

“Unë mendoj që çdo fillim e ka edhe një përfundim, e në këtë rast unë konsideroj që nga fillimi kur jam nis me përfaqësu qytetarët e mi përmes një subjekti politik, unë jam mundu me qenë zë i qytetarëve, i anëtarësisë e i subjektit politik. Në momentin kur ka pasë lëvizje në këtë drejtim, unë normal do të jem pjesë e zërit të qytetarëve dhe do të jem në mbështetje te Iniciativa Qytetare për Obiliqin”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, çështja e punësimit të personave nga komuna e Obiliqit, premtim që ia kishte bërë Ramush Haradinaj, ishte faktori kyç që çoi në dorëheqje.

“Ne kemi punu me të gjitha qeveritë, edhe me z. Haradinaj kemi bë shumë punë të mira, por sa i përket implementimit të ligjit dhe çështja e punësimit, kjo ka qenë njëra nga kërkesat e kahmotshme  e qytetarëve të Obiliqit, pikërisht këtu ka fillu një çarje, fillimisht tek elektorati e më pastaj edhe tek kryesia, asamblistët dhe ishin këta të fundit që i paraprinë me dorëheqje dhe normal që edhe iu bashkuam asamblistëve dhe kryesisë dhe morën një vendim që të largohemi derisa nuk është plotësuar kërkesa e çështjes së punësimit dhe mendoj që nuk do të jetë një tragjedi”, tha ai.

Pas largimit nga AAK, Xhafer Gashi themelon një iniciativë qytetare për Obiliqin

www.kallxo.com