Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhafer Gashi flet për Iniciativën Qytetare për Obiliqin

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka folur lidhur me synimet që ka me Iniciativën Qytetare për Obiliqin pas daljes nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se janë në përpilim të programit dhe se kjo iniciativë do jetë apolitike.

“Deri tani janë krijuar 24 degë në komunë, ne jemi në përilim të programit. Do krijojmë grupe punuese me njerëz nga lëmi të ndryshme. Iniciativa e re do jetë apolitike, do u japim mundësi të gjithëve që të inkuadrohen në të. Do jemi në garë,” ka thënë Gashi.

Gashi shtoi se financat do i bëjnë publike dhe nuk do ketë njerëz me aktakuza si pjesë të garës.

“Për momentin jemi të financuar mirë, do i bëjmë publike donatorët, do hapim edhe një llogari e cila do jetë publike. Njerëzit me aktakuza nuk mund të jenë pjesë e garës, edhe pse kjo mund të pësojë ndryshime pas një kohe, pasi kemi pasur probleme të tilla shumë në qeverisje komunale,” shtoi tutje Gashi.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka dhënë dorëheqje nga AAK në mars të këtij viti.

Gashi ka thënë se kjo dorëheqje vjen si rrjedhojë e zhvillimeve brenda strukturës së Aleancës në Obiliq.

Kurse, pak ditë pas dorëheqjes nga funksionet në AAK, Gashi themeloi Iniciativën Qytetare për Obiliqin.