Arkiv - Xhabir Zharku

Xhabir Zharku thotë se i shërbyen bukë të mykur në burg

Ish- kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, ka njoftuar se e ka ndërprere grevën e urisë në të cilën kishte hyrë në fund të majit.

Xhabir Zharku, gjendet në qendrën e paraburgimit në Prishtinë si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai me datën 23 maj ka paralajmëruar grevë urie për shkak të ankesave për cilësinë e ushqimit ne këtë qendër të paraburgimit.

Zharku, përmes një shkrese sot ka njoftuar për ndërprerjen e grevës dhe ka rrëfyer lidhur me ankesat e tij për ushqimin.

“Vendimi im për të hyrë në grevë urie nuk ishte vendim për veten time por për të gjithë të burgosurit, sepse edhe ata kanë ankesat e njëjta. Fillimisht kam arritur të marrë premtimin e të burgosurve të tjerë që mos të më bashkangjiten në grevë, e pastaj kam hyrë në grevë”, ka thënë Zharku.

Ai ka rrëfyer se i është shërbyer ushqim “mbi 60 % i thatë”.

“Që nga 1 prilli  kemi  dhënë vërejtje  per cilësinë e ushqimit, po ashtu edhe  jemi ankuar disa herë, personalisht  kam biseduar edhe me drejtorin dhe e kam njoftuar për shqetësimin tim si dhe të tjerëve dhe jo vetëm, por kam marrë vetëm premtime se do të ketë përmirësime”, thotë tutje Zharku

Ai thotë se më 22 maj i ishte shërbyer një bukë gruri e fortë  ndërsa të nesërmen një bukë e mykur.

“E ftoj inspektoratin e shtetit që të bëjë inspektimin e cilësisë së ushqimit, njëashtu ju njoftoj se lista e ushqimeve që të burgosurit i blejnë në kantinën e burgut nuk i plotësojnë nevojat e të burgosurve, poashtu disa prej tyre janë me çmime të dyfishta bazuar me çmimet e tregut”, ka shkruar ai.

Ai e ka quajtur primitive mendësinë që burgjet nuk duhet të kenë kushte të mira

“Duke kursyer në ushqim, ushqehemi keq dhe me pas kërkojmë shpenzime në mjekim dhe barna”, ka përfunduar ai.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Isuf Ibërdemaj i cili ka tha se ” dje pas drekës Zharku e ka ndërprerë grevën e urisë”.

Ai gjithashtu konfirmoi se se vetëm  Xhabir Zharku nga të paraburgosurit ka qenë në grevë urie.

Më 26 maj, KALLXO.com ka raportuar për vendimin e Shërbimit Korrektues për të përpiluar menu të re ushqimore.

Xhabir Zharkut nuk i pëlqen ushqimi në burg, futet në grevë