Arkiv - Xhabir Zharku

Xhabir Zharku pyet dëshmitarin në seancë: A të kam kërkuar ndonjë favor?

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt, dëshmitari B.T. ka dëshmuar në rastin e ish-kryetarit të Kacanikut, Xhabir Zharku, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrëz zytare, duke lejuar ndërtimin e një objekti për banim kolektiv në tokën e komunës.

Në këtë proces gjyqësor B.T ka dhënë versionin e tij në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me këtë rast.

I njëjti dëshminë e tij e filloi duke treguar që është marrë me ndërtimtari që nga koha e pas luftës. Ai si ndërmarrës i kompanisë “Bk Group”, kishte marrë përsipër përfundimin e këtij objekti nga kompania “NP Çlirimtari”.

B.T. tutje shtoi që në cilësinë e palës së tretë me komunën e Kaçanikut, kishte lidhur kontratë në vitin 2009 për objektin i cili gjendet tashmë afër gjykatës në Kaçanik.

Sipas dëshmitarit, kjo kontratë e cila ishte lidhur me koncesionim mes “NP Çlirimtari” dhe komunës së Kaçanikut ishte paraparë që komunës do t’i takonin 20% të objektit te banimit.

Dëshmitari deklaroi që pjesa e përqindjes në objekt që i ka takuar komunës nuk është realizuar pasi që sipas tij komuna nuk është pajtuar me përqindjen prej 20% që e kanë pasur në marrëveshje.

Ndërsa lokalet të cilat i takoni komunës sipas marrëveshjes, ishin lëshuar me qira nga dëshmitari dhe se fitimin për to e mbante ky i fundit.

Dëshmitari, për fund mohoi se kishte ndodhur një takim në zyrën e drejtorit të urbanizmit mes tij, ish-kryetarit Xhabir Zharku dhe përfaqësueses së komunës.

“Jo në zyre të drejtorit nuk kam qenë, por në zyrën kadastrale kam qenë” – tha dëshmitari B.T. para gjyatës.

Në pyetjen e Zharkut drejtuar dëshmitarit se a kishte kërkuar ndonjë herë favore për këtë çështje prej këtij të fundit, dëshmitari u përgjigje duke thënë – “Jo, nuk keni kërkuar asnjëherë favore”.

Sot ishte paraparë që të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër, por që i njëjti për arsye personale dhe me leje të gjykatës është liruar dhe pritet të dëgjohet ne seancën e radhës që do të mbahet me 2 nëntor të këtij viti.

Xhabir Zharku, ish-kryetar i komunës se Kaçanikut, në Gjykatën e Ferizajt është duke u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me dy vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Aktakuza kundër ish-kryetarit të Kaçanikut ishte ngritur në tetor të vitit 2020 nga Prokuroria në Ferizaj.

Zharku kishte qëndruar në paraburgim nga 15 dhjetori i vitit 2019 deri në qershor të vitit 2020 kur ishe liruar me dorëzani.

Për lirimin nga paraburgimi, Zharkut i ishte dashur që si dorëzani të paguajë shumën në vlerë prej 100 mijë eurove.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtroj ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, duke i mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – Kompanisë “Bardhi”.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast: https://kallxo.com/tag/xhabir-zharku/