Xhabir Zharku del para Gjykatës, Prokuroria kërkon paraburgim

Në Gjykatën e Ferizajt është duke u zhvilluar seanca e caktimit të masës së sigurisë ndaj Xhabir Zharkut, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, Zharku dyshohet për dy vepra penale të kryera gjatë kohës sa ai ishte kryetar Komune.

Prokuroria e Ferizajt ka paraqitur kërkesë që Zharkut t’i caktohet masa e paraburgimit.

Sipas Prokurorisë, Zharku ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare në periudha të ndryshme kohore.

Prokuroria konsideron se ka bazë për të besuar se nëse Zharku lirohet i njëjti mund të arratiset dhe të pengojë rrjedhën e procedurës hetimore duke ndikuar në dëshmitarë.

Prokuroria në kërkesën e saj për paraburgim ka marrë shembull arratisjen e Zharkut për shkak të dënimit me burgim prej 3 viteve, “ me ç’rast i pandehuri është arratisur në shtetin e Suedisë për t’iu shmangur ekzekutimit të dënimit deri sa është bërë parashkrimi absolut  i ekzekutimit të dënimit “ thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Kështu që, sipas Prokurorisë, nëse Zharku lihet në liri ka gjasë reale se ai do të arratiset përsëri dhe sigurimi i tij para organeve të drejtësisë do të ishte i pamundur.