Donald Trump dhe Vladimir Putin gjatë takimit në Helsinki, korrik 2018 - Foto: REL/Reuters

WSJ raporton se Kina ka propozuar Samit Trump-Putin për Ukrainën

Kina ka hedhur propozimin për mbajtjen e një Samiti ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump për të ndihmuar që t’i jepet fund luftës në Ukrainë, ka raportuar gazeta “Wall Street Journal”, duke iu referuar burimeve që janë të informuara me ngjarjet – raporton Reuters.

Zyrtarët kinezë javët e fundit kanë shtruar një propozim para ekipit të Trumpit nëpërmjet ndërmjetësuesve që të ketë Samit ndërmjet dy liderëve dhe të lehtësojnë përpjekjet paqebërëse pas një armëpushimi eventual – kanë thënë burime brenda Administratave në Uashington dhe Pekin – raporton gazeta amerikane.

Ministria e Jashtme kineze nuk ka komentuar menjëherë kërkesën e Reutersit për këtë raport.

Trump ka thënë se Putini dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kanë shprehur dëshirën për paqe gjatë bisedave të ndara telefonike që ka pasur të mërkurën me ta dhe Trump ka urdhëruar zyrtarët më të lartë amerikanë që t’i nisin bisedimet që t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

Kremlini ka konfirmuar se Putini dhe Trump janë pajtuar që të takohen dhe se Putini ka ftuar Trumpin që ta vizitojë Moskën. Trump ka thënë se “mbase” takimi i parë do të zhvillohet së shpejti në Arabinë Saudite.

Bisedime për paqe nuk ka pasur prej kohës së fillimit të pushtimit në vitin 2022. Paraardhësi i Trumpit, demokrati Joe Biden kishte ndarë miliarda dollarë ndihma ushtarake dhe civile për Kievin dhe nuk kishte zhvilluar kontakte direkte me Putinin, pas pushtimit rus të Ukrainës.

Rusia ka pushtuar rreth një të pestën e territorit të Ukrainës dhe ka kërkuar edhe hise të tjera të Kievit zyrtar. Ukraina thotë se Moska duhet të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe kërkon anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Perëndimi i ka kërkuar vazhdimisht Kinës që të ndihmojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com