Helen Wormser - Fondacioni ‘Straycoco’

Wormser: Shumica e veterinerëve në Kosovë nuk dijnë të regjistrojnë qentë

Ekspertja për trajtim të qenve endacakë, Helen Wormser, thotë se në Kosovë shumë veterinerë nuk dijnë të bëjnë si duhet regjistrim/trajtim të qenve pasi kanë më shumë përvojë me kafshë të tjera si lopë, dele etj.

“Veterinerët që punojnë në administratë të Agjencisë së Veterinarisë (AVUK), vijnë nga një brez që ishte mësuar vetëm me idenë që ata duhet t’u ndihmojnë viçave që të lindin e të vijnë në këtë botë, pra ata vijnë nga ideja e kafshëve të një ferme. Profesioni i veterinerit për kafshët shtëpiake është shumë i ri në Kosovë. Shumica prej tyre nuk dijnë të bëjnë këtë regjistrim/trajtim të kafshëve të vogla shtëpiake” – ka thënë Wormser.

Sa i përket trajnimit për regjistrim të qenve, ekspertja Helen Wormser në emisionin ‘Kallxo Përnime’ potencoi se ish-kryesuesi i AVUK ka qenë në Zvicër për të parë si bëhet ky proces, por ajo njohuri nuk u bart edhe në Kosovë.

“E ftova në Zvicër ish-kryesuesin. Ai ishte në Regjistrin Qendror. Fillimisht shkuam në Administratën Veterinere të Cyrihut dhe më pas shkuam në policinë e qytetit për të ditur se si realizohet procesi, sepse ata e bëjnë regjistrimin e çipit, pra Policia”- tha ajo.

“Ai u informua në vitin 2017, pra në vjeshtë ish-kryesuesi i AVUK u informua se si të bëhet vendosja e çipave te qentë, si të kontrollohen qentë, si të kontrolloni pronarët e qenve. Pse duhet të kontrollohen qentë”- shtoi më tej Wormser.

Sipas Wormser, kur ishte kthyer në Kosovë, kryeshefi i ri, Flamur Kadiu, i kishte thënë se nuk ka parë ndonjë projekt të Administratës Zvicerane lidhur me regjistrimin e trajtimin e qenve.

“Kryeshefi i ri, Flamur Kadriu më tha se nuk e kishte parë kurrë PowerPoint-in sepse ia dërgova atij tani, por ai kurrë nuk e kishte parë PowerPoint-in e Administratës Zvicerane të Veterinarisë duke shpjeguar pse është e nevojshme të ndiqen këto procedura, por ai nuk dinte asgjë për të” – shtoi ajo.