William Walker dekorohet nga Ramush Haradinaj

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka takuar sot në mbrëmje ambasadorin amerikan, Willian Walker.

Ai ka ndarë edhe një medalje për ambasadorin i cili ishte i pari nga ndërkombëtarët që foli për masakrën e Reçakut 21 vite më parë.

“Zhvillova një bisedë emocionale me ambasadorin William Walker, duke kujtuar kohët e vështira të Kosovës, në të cilat kohë, ai na qëndroi përkrah duke treguar dhe mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë”, ka njoftuar Haradinaj në Facebook.

“Shpreha falënderim për angazhimin e tij të palodhshëm për të bashkuar diasporën tonë, në të mirë të vendit dhe për të ngritur çështjen kombëtare. E nderova me medaljen Skenderbeu, në ditën e kalimit në amshim të kryeheroit Gjergj Kastrioti”, thuhet tutje në njoftim.

“Kosova është me fat që në rrugëtimin e saj historik, ka pasur përkrah miq dhe aleatë, siç është Walker dhe populli amerikan. Gjithmonë falënderues dhe mirënjohës!”, ka shkruar shefi i ekzekutivit në detyrë, Ramush Haradinaj.