Wigemark: EULEX vazhdon të patrullojë dhe vëzhgojë situatën në veri të Kosovës

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se situata në dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, është e qëndrueshme.

“EULEX po vazhdon të patrullojë dhe vëzhgojë situatën në veri të Kosovës së bashku me KFOR dhe me kërkesë të Policisë së Kosovës. Situata është e qëndrueshme dhe regjimi i ri i letrave ngjitëse do të prezantohet nga të dyja palët nesër më 4 tetor. Do ta monitorojmë edhe këtë”, ka shkruar ai në Twitter.

Dje, Njësia Speciale e Kosovës në Bërnjak dhe Jarinjë është zëvendësuar nga trupat e KFOR-it dhe barrikadat e qytetarëve serbë të cilët protestonin për më shumë se 10 ditë janë larguar.

Ky ishte dakordimi i marrëveshjes së nënshkruar të enjten mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ndërsa nesër do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.