Foto: REL

Hulumtimi i "Washington Post" zbulon punët që Grenell i ka bërë për politikanë e oligarkë kontraversë

Emërimi i Richard Grenell si ushtrues i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, ka ngjallur reagime të ashpra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të aktiviteteve të kaluara të tij me shtete të tjera dhe jo vetëm.

Gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post” së fundi ka raportuar se kompania e Grenell për Marrëdhënie me Publikun është paguar për të bërë punë për një organizatë amerikane jo-fitimprurëse, e cila pothuajse tërësisht financohet nga Qeveria Hungareze e udhëhequr nga Kryeministri i së djathtës ekstreme, Viktor Orban.

Richard Grenell njëherësh është edhe ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Me ndërmjetësim të Grenell, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për linjë të fluturimeve, hekurudhave dhe autostradave Prishtinë-Beograd, përderisa dialogu në nivel politik mes të dyja shteteve është pezulluar që nga fundi i vitit 2018. 

Këto marrëveshje, që janë në fakt letra interesi e jo marrëveshje të nënshkruara nga dy palët, ende nuk janë bërë publike përkundër që BIRN ka bërë kërkesë për qasje për këto dokumente.

 Një version i këtyre marrëveshjeve ka rrjedhur por ende nuk është bërë publik versioni i tyre zyrtar përfundimisht i nënshkruar.

“Washington Post”, ka shkruar gjithashtu se dy vjet para se Presidenti Trump ta emëronte për t’u bërë Ambasador në Gjermani, Richard Grenell shkroi një  opinion-editorial për garën e ngarkuar presidenciale në Nigeri, në vitin 2015.

Ky veprim u debatua edhe në revistën e njohur “The Guardian” dhe në media nigeriane sepse Grenell doli në përkrahje të kandidatit për President Jonathan, duke e sharë një kandidat kundërshtar Buharin dhe u akuzua se për këtë shërbim është paguar në firmën e tij Capitol Media Partners ku Grenell ishte partner. Grenell e kishte mohuar këtë.

Siç thuhet në hulumtim, një vit më vonë, Grenell e mbrojti Qeverinë e Moldavisë kundër akuzave të korrupsionit nga një kallxues, i cili sipas Grenell, ishte një operativ rus i prirur për të destabilizuar një vend të Evropës Lindore i cili përpiqej të shkonte drejt Perëndimit.

Por, Vladimir Plauhotniuc, oligarku dhe lideri politik i Moldavise të cilin e mbrojti Grenell iku prej Moldavisë pasi që partia e tij humbi fuqinë në vitin 2019.

Në janar të vitit 2020, Mike Pompeo, sekretari i shtetit të SHBA, deklaroi se Plauhotniuc, i cili nuk  dihet se ku është, dhe familja e tij, janë të ndaluar për të hyrë në SHBA për shkak të “veprimeve korruptive” që e rrezikojnë “sundimin e ligjit dhe e kompremetojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të Moldavisë”.

“Këshillimi për marrëdhëniet me publikun dhe komentimi i politikës së jashtme nga ana e Grenellit, si dhe reputacioni i tij si një besnik i zëshëm i Trumpit, janë pjesë e një rezymeje të pazakontë për një drejtues të komunitetit të inteligjencës amerikane. Individët që kanë shërbyer në atë pozicion zakonisht kanë qenë profesionistë të paanshëm të sigurisë kombëtare, përvoja e të cilëve ka përfshirë agjencitë kryesore të inteligjencës ose shërbimit ushtarak”, ka shkruar “Washington Post”.

Sipas  “Washington Post”, kompania e Grenell, “Capitol Media Partners”, ka punuar për një gamë klientësh, sipas zbulimeve financiare publike të Grenell, duke përfshirë firmat e avokatëve, organizatat e avokimit për çështjet e të drejtave të taksave dhe të armëve, e kompani të energjisë.

Grenell gjithashtu përfaqësonte njerëz nga qendra të tilla si Irani, Kazakistani, Somalia dhe Kina.

Afër dy vjet para emërimit të tij si ambasador, zbulimet tregojnë se Grenell fitoi 668,362 dollarë nga firma, të cilën ai e mbylli kur u bë ambasador.

Lidhur me këto zhvillime ka reaguar gazetari i njohur Tim Judah dhe kryetari i bordit të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, i cili ka komentuar emërimin e Grenell në krye të Inteligjencës Amerikane.

“Grenell mbrojti me forcë Vlad Plahotniucin, oligarkun e Moldavisë dhe tani ai është i mandatuar të shtyjë përpara procesin e dialogut Serbi-Kosovë. Këtu është në pyetje kredibiliteti i  ShbA-së”, ka shkruar ai.

Judah e ka publikuar këtë shkrim duke e shpërndarë një postim të kolumnistit dhe redaktorit të gazetës “The Economist”, Lane Greene, i cili ka thënë se ShBA-të asnjëherë nuk e kanë pasur një një drejtor të inteligjencës i cili kishte marrë kaq shumë para nga qeveritë e huaja.

“Kjo është marrëzi. Ekspertët thonë se ai nuk mund ta kalojë verifikimin e sigurisë e lëre më t’i ipen çelësat për tërë bashkësinë e inteligjencës”, kishte shkruar Greene.

Korrespodenti Judah ka qenë i zëshëm për emërimet e Grenellit edhe përmes disa publikimeve të tjera në Twitter.

Pas emërimit të Grenell në Inteligjencën Kombëtare Amerikane, gazetari e kishte shpërndarë edhe konfirmimin se Grenell do të vazhdojë ta mbajë “dosjen” e dialogut Kosovë-Serbi.

Pak ditë më parë, edhe ish-Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare dhe ambasadorja e SHBA-së, Susan Rice kritikoi emërimin e Richard Grenell si ushtrues i detyrës në Inteligjencën Kombëtare nga presidenti Trump.

“Problemi është se Rick Grenell është një nga njerëzit më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë. Ai është një pazarxhi dhe mashtrues (anglisht: hack and a shill)  dhe kjo është gjithçka që ai ka qenë ndonjëherë”, ka thënë Rice në një intervistë për MCNBC.

Rice e quajti atë “të pandershëm”, si dhe dha kritika të tjera, duke thënë se ishte vënë në punë për të përdorur mjete të inteligjencës për qëllime politike.

“Dhe ai është futur në atë punë vetëm për një arsye, që do të thotë ta kthejë shërbimin e inteligjencës në një mjet për rizgjedhjen e presidentit Trump”, shtoi ajo.

Rice ka shërbyer si Këshilltare e Sigurisë Kombëtare në vitet 2013-2017 në administratën e Presidentit Barack Obama. Më parë ajo ka qenë edhe Ambasadore e SHBA-ve në OKB.