ish-shefi i OSBE-së, William Walker, dhe zyrtarë të Vetëvendosjes në Reçak - Foto: KALLXO.com

Walker vjen në Kosovë në 21 vjetorin e Masakrës së Reçakut

Ish-udhëheqësi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, do të jetë në Kosovë në 21 vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Këtë e ka konfirmuar edhe këshilltari i Behgjet Pacollit, ministrit të Jashtëm në detyrë, Jetlir Zyberaj.

“Me ftesën e zëvendëskryeministrit/ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli, Walker si çdo vit po kthehet për të respektuar viktimat e Reçakut dhe për t’i treguar Serbisë dhe Vuçiqit krimet e tyre”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.

Më 15 janar 2020, bëhen 21 vjet nga masakra e Reçakut, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, pasi ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë në vitin 2018 me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut.

Pas dënimit të Todosijeviqit në muajin dhjetor edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e kishte mohuar Masakrën e Reçakut duke thënë se atë e ka sajuar William Walker.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtures”, tha Vuçiq para gazetarëve.

Pas deklaratës së Vuçiqit, ka pasur reagime nga Ambasada të vendeve të huaja, BE, zyrtarë të lartë shtetëror vendor dhe të huaj.

Ndërsa avokati Tomë Gashi ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka mohuar masakrën e Reçakut.

Më poshtë gjeni deklaratën e Walker për Masakrën e Reçakut.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia