Walker në Vetëvendosje: Ngutuni bëjeni qeverinë

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker sot ka qëndruar për vizitë në Lëvizjen Vetëvendosje, ku ka takuar edhe kreun e saj Albin Kurtin.

Pas takimit, në një adresim para mediave, Walker ka këshilluar që qeveria e re të formohet sa më shpejt.

“Këshilla ime e vetme është, ngutuni dhe bëjeni atë. Jam i sigurt që ai e ka dëgjuar këtë nga shumë njerëz, pse do të më dëgjonte mua nuk e di, por këtë po e them. Kanë kaluar 100 ditë nga zgjedhjet dhe kam menduar se negocimi dhe ndarja e pozitva e këto kanë qenë diçka që e ka bërë sistemi i vjetër. Kam menduar se ky është një sistem i ri, udhëheqje e re, ide të ndryshme. Kështu që le të formohet qeveria”, është shprehur ish-ambasadori.

Walker u pyet edhe për përshtypjet e tij për kandidatin e VV-së për kryeministër Albin Kurtin.

“Pa hyrë në detaje e njoh Albin Kurti për 20 vjet. E kam takuar atë kur ishte me Adem Demaçin. Ka qenë më i ri. Kështu që për mua gjithmonë është kënaqësi ta takoj Albinin. Jam shumë i interesuar për Kosovën, për politikën e saj veçanërisht”, shtoi ai.

Ish-ambasadori i OSBE-së, mes tjerash tha se shteti pa qeveri është gjë e vështirë.

”Ju duhet qeveria dhe janë edhe pritjet e njerëzve këtu. E keni shansin tani për njerëz të rinj, ide të reja. Shpresoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt”, përfundoi ai.

Walker po qëndron në Kosovë, për 21 vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Gjatë ditës së djeshme, ai ka qenë për vizitë edhe në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga ku ka kërkuar formimin e institucioneve të reja të vendit pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.