VV uron LDK-në në 30 vjetorin e themelimit

Lëvizja Vetëvendosje ka uruar Lidhjen Demokratike të Kosovës në 30 vjetorin e themelimit.

Nëpërmjet Facebook-ut, Vetëvendosje tha se LDK lindi si lëvizje politike.

“Para 30 vjetëve ishte kohë e vështirë: 1989 ishte vit i suprimimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Milosheviqit, burgjet gjithandej Serbisë e Jugosllavisë ishin mbushur përplot me shqiptarë, kurse demonstratat në Kosovë bëheshin të fuqishme dhe të shpeshta. Po shpërbëhej federata, populli kërkonte republikë, LDK lindi si lëvizje politike, shoqërore e intelektuale, me në krye Dr.Ibrahim Rugovën”, thuhet në urimin e VV-së.

“Shumë punë e përpjekje janë bërë për demokraci dhe liri, nga mijëra e mijëra aktivistë të devotshëm. Urime ditën e themelimit!”, thuhet në fund të urimit.

Ndërkohë, kur kanë mbetur edhe tri ditë prej seancës së parë të Kuvendit të Kosovës, dy partitë që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, ende nuk janë marrë vesh për koalicionin e Qeverisë së re.