Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti

VV thotë se po ia përgatit "përgjigjen më të mirë" Presidentit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është duke ‘konsideruar përgjigjen më të mirë’ për kërkesën e tretë të Presidentit Hashim Thaçi për mandatarin për formimin e qeverisë pas mocionit të 25 marsit.

Kështu kanë thënë për KALLXO.com nga sekretariati për media i kësaj parti, ndonëse janë pyetur për një datë të saktë, ata nuk kanë dhënë asnjë datë.

“As nuk hezitojmë as nuk refuzojmë të përgjigjemi, dhe do të përgjigjemi. Po konsiderojmë përgjigjen më të mirë, që respekton ligjin, kushtetutën, demokracinë dhe institucionet”, thuhet në përgjigje.

Sipas tyre në rast se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dështon në formimin e qeverisë atëherë vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

“Rruga e vetme në secilin rast është ajo ligjore dhe kushtetuese. Nuk ka qeveri pa subjektin fitues të zgjedhjeve. Mund të ketë zgjedhje te reja, por jo qeveri pa Vetëvendosjen”, thuhet tuje aty.

Sipas tyre LDK, AAK, AKR dhe Nisma mund të bëjnë koalicion vetëm për zgjedhje të reja, por jo edhe për qeveri pa zgjedhje, duke u shprehur të bindur se në zgjedhje prap LVV do të dal partia e parë në vend.

“Ndoshta ai koalicion është për zgjedhjet e reja, ndoshta edhe për zgjedhje lokale, sepse mundësi të tjera nuk lejon Kushtetuta. Në atë rast LVV, dhe mbi 50% e votuesve do të votojnë për Albin Kurtin kryeministër dhe për kandidatët e LVV në zgjedhje lokale”, kanë thënë për KALLXO.com sekretariati për media dhe komunikim.

Dje presidenti i vendit Hashim Thaçi u përkujdes që t’ia shkruajë edhe një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) njëherazi kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, duke i kërkuar për të tretën herë emrin për mandatarin.

Thaçi kërkoi nga Kurti që letrës së tij t’i përgjigjet ‘brenda një periudhe të arsyeshme kohore’ sepse sipas tij në këtë situatë emergjente të krijuar pas pandemisë COVID-19 qytetarët janë duke kërkuar sa më shpejtë një qeveri të re.

Ndërsa dy ditë më parë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së votoi pro koalicionit me  Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate (NSD), Aleancën Kosova e Re (AKR), si dhe subjektet e pakicave. Nga 124 anëtarët 108 votuan për, 6 kundër si dhe 10 abstenime.

Në kohë pandemie, Kosova zhytet edhe më thellë në krizë politike