VV shpalos sondazhin që e nxjerr Bulliqin të parin në garën për Podujevën

Lëvizja Vetëvendosje e ka shpalosur sot një sondazh i cili, sipas nënkryetarit Besnik Bislimi, e nxjerr kandidatin e kësaj partie, Shpejtim Bulliqi, në krye të garës për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune që mbahen këtë të diel.

Sipas këtij sondazhi të realizuar më 15 nëntor, 46.8 përqind e të anketuarve janë përcaktuar për Shpejtim Bulliqin.

Për kandidatin e LDK-së në këtë garë, Nexhmi Rudari, sipas sondazhit, janë përcaktuar 42 përqind e të anketuarve ndërsa 11 përqind ishin përcaktuar për kandidatin e PDK-së, Naim Fetahu.

“Ne besojmë se situata sot është dukshëm më e mirë si rezultat i angazhimit maksimal të profesorit Bulliqi”, tha Bislimi në konferencë për shtyp.

“Ne besojmë shumë se rezultati do të zgjidhet më 29 nëntor”, tha Bislimi duke shpresuar që gara do të vendoset pa balotazh.

Sondazhi është kryer nga kompania UBO Consulting.