VV propozon rezolutë për dialogun Kosovë-Serbi, kundërshton Asociacionin dhe Mini-Shëngenin

Në seancën e parë plenare të Kuvendit të sesionit vjeshtor, kryeministri Avdullah Hoti raportoi para deputetëve lidhur me dialogun Kosovë-Serbi .

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kanë propozuar një rezolutë për këtë dialog.

Kjo rezolutë përmbanë katër pika në të cilat thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e ka autorizuar dhe nuk i ka dhënë leje Avdullah Hotit të bëjë zotime të njëanshme.

Tutje në pikën e dytë të rezolutës thuhet se Kuvendi nuk mbështet rikthimin e çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në rezolutë gjithashtu thuhet se Ujmani si liqen artificial është tërësisht i Republikës së Kosovës dhe nuk mund të negociohet.

Kurse në pikën e katër theksohet se Kosova nuk merr pjesë në nisma si ajo në ‘Novi Sad 2019’ që synon treg të përbashkt pasi Serbia nuk e njeh Kosovën.

Tesktin e plotë të rezolutës e gjeni më poshtë:

REZOLUTA E PROPOZUAR NGA GP I LV LIDHUR ME DIALOGUN KOSOVË-SERBI

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e ka autorizuar dhe nuk i ka dhënë leje Avdullah Hotit që të bëj zotime të tilla të njëanshme lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Kuvendi i Kosovës nuk mbështet zotimet e tij të njëanshme që kanë të bëjnë me pikat për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruara më 4 shtator 2020 në Washington DC.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedime a dialogu që rikthejnë çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë si temë. Asnjë zyrtar i Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca apo autorizime dhe nuk i lejohet që të bisedojë për këtë çështje.

3. Ujmani si liqen artificial, është pronë dhe aset tërësisht i Republikës së Kosovës, i ndërtuar me fonde të Kosovës dhe menaxhohet nga Kosova.Si i tillë Ujmani dhe asnjë aset a pronë tjetër e Republikës së Kosovës kudo që ndodhet ajo, nuk mund të negociohet.

4. Republika e Kosovës nuk merr pjesë në asnjë nismë apo aranzhim apo marrëveshje, përfshirë dhe atë të bërë në Novi Sad në vitin 2019, që synon treg të përbashkët me disa nga vendet e Ballkanit perëndimor, duke qenë se Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe ka si synim zgjerimin e ndikimit në politikën e brendshme të disa prej shteteve të këtij rajoni.